Parlamenti Evropian (PE) ka miratuar një rezolutë të posaçme për Vukovarin, përmes së cilës nderohen viktimat e krimeve të luftës të kryera në këtë qytet kroat dhe i bëhet thirrje Serbisë që të mundësojë qasjen e plotë në arkivat përkatëse të luftës, si dhe të publikojë të gjitha informacionet e disponueshme mbi vendndodhjen e varrezave individuale dhe masive.
Rezoluta, e iniciuar nga eurodeputetë kroatë të grupeve të ndryshme politike, vjen në 35-vjetorin e rënies së Vukovarit.
Në tekstin e dokumentit theksohet se Vukovari mbetet një kujtesë e fortë se parimi “kurrë më” nuk mund të merret si i mirëqenë, duke nënvizuar se tragjedia tregoi sa e brishtë është paqja në Evropë kur nuk mbrohet në kohë.
PE-ja vlerëson se pranimi i krimeve, respektimi i viktimave dhe zbardhja e fatit të personave të zhdukur janë kushte thelbësore për një pajtim të qëndrueshëm dhe drejtësi për të gjitha viktimat e luftërave pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Me këtë rezolutë, Parlamenti Evropian dënon ashpër mohimin, minimizimin ose madhërimin e krimeve të luftës, përfshirë nderimin publik të kriminelëve të dënuar.
Në veçanti, dokumenti dënon nderimet që iu bënë Ratko Mlladiqit gjatë ceremonisë së varrimit të tij në Beograd, më 7 shtator 2026, ish-gjeneralit të dënuar me vendim të formës së prerë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Mbrojtja e forcave kroate në Vukovar u thye më 18 nëntor 1991, pas 87 ditësh luftimesh të ashpra.
Pas hyrjes së Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA) dhe njësive paramilitare në qytetin e shkatërruar, pasoi dëbimi masiv i popullsisë, dërgimi i të burgosurve në kampe dhe kryerja e krimeve të rënda, mes të cilave masakra e Ovçarës, ku u ekzekutuan rreth 260 persona – kryesisht të plagosur, të sëmurë dhe civilë të nxjerrë nga spitali i Vukovarit.
Pas publikimit të tekstit, Lëvizja Studentore në Serbi, pjesë e Listës Studentore që fitoi zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Serbi në muajin tetor,l reagoi në rrjetin social X, duke njoftuar se nuk pajtohet me përmbajtjen e rezolutës.
Sipas kësaj lëvizjeje, dokumenti nuk kontribuon në pasqyrimin objektiv të ngjarjeve historike dhe as në pajtimin mes popujve të rajonit, pasi pretendon se janë shpërfillur vuajtjet e popullsisë civile serbe në Kroaci, duke përmendur operacionet ushtarake “Bljesak” dhe “Oluja”.
