
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, prezantoi sot në Kuvend prioritetet e projektbuxhetit 2027, duke theksuar se rritja e financimit përkthehet në më shumë siguri për qytetarët, mbështetje për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe shërbime më cilësore në territor.
Buxheti i Ministrisë së Punëve të Brendshme arrin në rreth 40 miliardë lekë, me një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2026.
Një nga prioritetet kryesore është politika e re e pagave, për të cilën janë parashikuar 3.3 miliardë lekë.
Rreth 8174 punonjës policie të gradës inspektor do të përfitojnë një rritje prej 23.600 lekësh në muaj, ose 27%, ndërsa për gradat e tjera rritja do të jetë 15 mijë lekë në muaj, nga 13% deri në 17%, duke përfshirë vjetërsinë në punë.
Krahas përmirësimit të trajtimit financiar, 2.8 miliardë lekë do të shkojnë për investime të brendshme, ndërsa 1.85 miliardë lekë janë parashikuar për projektin “Smart City”, që synon fuqizimin e kapaciteteve teknologjike të Policisë së Shtetit, parandalimin dhe luftën kundër paligjshmërisë.
Në vitin 2027 parashikohet gjithashtu nisja e investimit për Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
Demo theksoi se mbështetja më e madhe për Policinë duhet të shoqërohet me profesionalizëm dhe llogaridhënie, duke veçuar reformën në Akademinë e Sigurisë, me mbështetjen e institucioneve homologe italiane, si një hap të rëndësishëm drejt standardeve më të larta të formimit policor.
Në fokus të buxhetit është edhe pushteti vendor. Transferta nga shteti për bashkitë do të arrijë në 49.4 miliardë lekë, me rritje 4%, ndërsa Granti i Performancës do të vijojë me 200 milionë lekë për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Reforma Territoriale, decentralizimi dhe forcimi i kapaciteteve financiare e administrative të bashkive do të jenë gjithashtu prioritete për vitin 2027.
Ministri u ndal edhe te rindërtimi, duke bërë të ditur se 1.8 miliardë lekë nga buxheti i vitit 2026 do t'i akordohen Bashkisë së Tiranës për përshpejtimin e procesit, ndërsa i njëjti nivel mbështetjeje financiare për bashkitë e prekura nga tërmeti parashikohet edhe për vitin 2027.
Demo theksoi se vlera e këtij buxheti matet mbi të gjitha me ndryshimet konkrete në jetën e qytetarëve, më shumë siguri publike, shërbime më cilësore dhe institucione më pranë tyre.
