
Inspektorati i Përgjithshëm ka shkarkuar nga detyra katër inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, për shkeljet e konstatuara në procedurën e inspektimit të ngarkesës prej 27 tonësh me mish derri me origjinë nga Brazili, të subjektit KING-MIT, i cili rezultoi i pacertifikuar.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit, zhvillimit të seancave dëgjimore dhe vlerësimit të përgjegjësive individuale, Komisioni Disiplinor vendosi:
- L.B., Inspektor Kontrolli në Pikën e Kalimit Kufitar pranë AKU-së, Durrës – masën disiplinore “Largim nga detyra”, për mosverifikimin e plotë të dokumentacionit të ngarkesës, mosverifikimin e stabilimentit të autorizuar për eksport dhe të vërtetësisë së certifikatës, duke lejuar kalimin e ngarkesës në kundërshtim me kërkesat ligjore.
- E.T., K.K. dhe M.G., inspektorë pranë Drejtorisë Rajonale të AKU-së, Fier – masën disiplinore “Largim nga detyra”, për mosverifikimin e plotë të dokumentacionit, mosidentifikimin e të gjitha shkeljeve të konstatuara dhe vendosjen e një mase administrative jo proporcionale me natyrën dhe rëndësinë e shkeljeve.
Inspektorati i Përgjithshëm ka administruar dokumentacionin e përcjellë nga AKU-ja, ka kërkuar vlerësimin e përgjegjësive të punonjësve të përfshirë, ka ngritur Komisionin Disiplinor dhe ka zhvilluar dy seanca dëgjimore, përpara marrjes së vendimeve disiplinore.
Gjithashtu, për shkak të kompleksitetit të rastit dhe problematikave të konstatuara, Inspektori i Përgjithshëm ka urdhëruar verifikimin e ligjshmërisë së procedurave administrative të ndjekura nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së për importimin dhe inspektimin e ngarkesës, me qëllim shqyrtimin e plotë të dokumentacionit, veprimeve të kryera dhe përgjegjësive të strukturave të përfshira.
