
Papa Leo XIV ka lëshuar një paralajmërim të fortë lidhur me rreziqet e inteligjencës artificiale (IA) në nisje të vizitës së tij zyrtare katërditore në Francë.
Sipas BBC-së, gjatë një fjalimi të gjerë të mbajtur përpara zyrtarëve të Kishës dhe shtetit në Pallatin Élysée, pas një takimi dypalësh prej një ore me Presidentin Emmanuel Macron, Ati i Shenjtë bëri apel që njerëzimi të mos humbasë përballë zhvillimit të pakontrolluar të teknologjisë.
Nëse duam të shmangim humbjen e njerëzillëkut tonë mes një ‘parajse makinash’ që po pushton dhe kushtëzon jetën tonë të përditshme, kemi nevojë urgjente për edukim mbi aftësinë për të bërë dallimin etik.”
Ky është një qëndrim konsistent i Kreut të Kishës Katolike, i cili më herët gjatë këtij viti, në dokumentin e parë të madh mësimor të papatit të tij (enciklikën Magnifica humanitas), kërkoi "çarmatimin" e inteligjencës artificiale.
Në atë kohë, ai e krahasoi rrezikun e IA-së me tregtinë e skllevërve, duke paralajmëruar se bota rrezikon të normalizojë sërish shfrytëzimin e qenies njerëzore
Pika kulmore e vizitës së Leos në Francë do të jetë një Meshë gjigante me pjesëmarrjen e më shumë se gjysmë milioni njerëzve në Paris të shtunën, për të cilën është ndërtuar një altar në Place de la Concorde dhe një zonë e madhe rreth Champs-Élysées e mbyllur nga policia.
Priten turma të mëdha gjatë gjithë udhëtimit, duke reflektuar një entuziazëm që Kisha ia atribuon spiritualitetit në rritje midis francezëve dhe evropianëve të tjerë.
Të premten, Macron e përshëndeti vizitën e Papa Leo në Francë si një "nder të madh", duke theksuar se sekularizmi francez "në asnjë mënyrë nuk e mohon fenë".
Leo tha se "sekularizmi autentik" nuk duhet ta përjashtojë fenë "nga sfera publike ose nga arsimi".
Në vitet e fundit, politikanët francezë shpesh kanë përmendur llojin e sekularizmit të Francës për të justifikuar ndalimet e simboleve fetare, duke përfshirë veshjet e grave myslimane, në hapësirat publike dhe shkollat.



