Nga adoleshentë tek vrasës serial e krerë të grupeve kriminale. Është kjo CV e autorëve të qindra grabitjeve të ndodhura në 33 vite ndaj sistemit bankar në Shqipëri. Ndërsa nuk mungon edhe Profesioni i ngjashëm me atë të Casa de Papel, i cili në Shqipëri goditi me vlera që arrijnë deri në 10 milion euro në një grabitje. Ai u ekzekutua 7 vite më parë në Rinas, ndërsa deri në vitin 2019 askush s’dinte asgjë përveç familjes se kush ishte Admir Murtaj.
La Casa de Papel ende nuk ishte një prodhim masiv, i njohur deri në detaje në ekranet e kinemasë dhe televizionit, por në Shqipëri ky skenar dhe grupet nën dirigjimin e Profesorit ishin aktive dhe me rezultate konkrete.
Ky prodhim nisi në vitin 2017 dhe vijoi deri në vitin 2021, me sezonin e pestë. Ndërsa shqiptarët, me një CV dhe eksperiencë të pasur nga grabitjet në Greqi, kishin mbërritur tashmë në atdhe.
Motoja e tyre, sipas leximit të dosjeve penale që ka bërë “FactCheck” në MCN TV, ishte: asnjë viktimë. Edhe pse i konsideruar Profesori, Admir Murataj (Nikaj) do të humbiste jetën në një prej disa goditjeve më të bujshme që ai udhëhoqi.
Ajo i përket prillit 2019, ku fillimisht u fol për një grabitje prej 10 milionë eurosh e më pas 6 milionë eurosh, por kjo do të ishte grabitja fatale për 47-vjeçarin.
Askush nuk e njihte atë me emër, mbiemër dhe fytyrë deri në mesditën e 9 prillit 2019. Ndërsa agjencitë e zbatimit të ligjit ishin alarmuar dhe kishin nisur të krijonin një profil. Por Murataj, i kthyer në Shqipëri nga burgjet greke, përveç CV-së dhe eksperiencës, solli edhe raportet miqësore me anëtarët e grupit.
Kjo është fotoja e tij, ndërsa kjo është pamja që ai përdorte për të manipuluar identitetin dhe për të ndryshuar paraqitjen e tij. Nga një person me flokë, paraqitej qeros, me mjekër dhe mustaqe.
Pjesë e këtij grupi ishte edhe “Daja”, Ragip Hajdini, i cili kamuflohej si biznesmen, ndërsa shqiptari i Kosovës kalonte një pjesë të jetës në Durrës. Edhe ky ndërroi jetë.
Ndryshe nga Admir Murataj, për të cilin pati disa versione nëse e vrau policia apo e vranë shokët e grabitjeve, Daja ndërroi jetë në spital për shkaqe natyrale.
Pjesë e grupit të drejtuar nga Profesori, i ndjeri Murataj, rezulton, sipas fashikullit të Prokurorisë, se ishte edhe Talo Çela. Një personazh i njohur tashmë për SPAK-un, për botën e krimit dhe prej mbi një dekade në arrati.
Një tjetër grup, i drejtuar nga një prej mjeshtërve, po aq profesor sa edhe Murataj, i përket Ilir Kupës.
Ai njihet si Babagjyshi dhe fokusi i tij ishin argjendaritë. Më e famshmja e realizuar nga grupi i Ilir Kupës i përket grabitjes së ndodhur në qendrën tregtare TEG.
24 orë përpara Krishtlindjeve, më 24 dhjetor 2013, të veshur dhe të maskuar si Babagjyshë, Kupa dhe shokët e tij goditën. Një sasi e konsiderueshme sendesh me vlerë nga argjendaria u mor, ndërsa në një qendër plot me publik dhe klientë nuk u shënua asnjë viktimë.
Ndërsa ky grup u arrestua në vitin 2014 dhe u hetua për afro 15 episode grabitjesh me armë dhe dhunë.
Një tjetër personazh i listës së grabitjeve, por i dokumentuar në zyrat e këmbimit valutor, është edhe Artan Marjus Tafani, sot i arrestuar dhe bashkëpunëtor i drejtësisë për krime të rënda, përfshirë edhe vrasjet me pagesë.
Në zonën e Astirit ai u kap teksa grabiti 30 mijë euro në një pikë këmbimi valutor dhe ndodhet në qeli. E nga kjo grabitje u zbulua një zinxhir krimesh.
Listës nuk i mungojnë as grabitësit e dëshpëruar për para, drogmenët apo edhe personat amatorë. Rasti më i fundit i përket Bardhyl Fushës, 58-vjeçarit me origjinë nga Gramshi, i cili, në dëshpërim për falimentimin e biznesit dhe mungesën e parave, terrorizoi stafin e bankës.



