Dhoma e Avokatisë Sarandë ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama për publikimin e fotografive të qytetarëve dhe studentëve të lidhura me akuza penale. Institucioni e ka krahasuar këtë praktikë me "fletërrufetë" e komunizmit, duke theksuar se ajo cenon prezumimin e pafajësisë dhe të drejtat themelore të individit.
Përmes një reagimi zyrtar të firmosur nga kryetari Rigels Dervishi, avokatët e Sarandës e kanë cilësuar këtë praktikë si një shkelje të rëndë të ligjit dhe një rikthim të metodave të errëta të së shkuarës duke e ka krahasuar këtë praktikë me "fletërrufetë" e komunizmit, teksa theksojnë se ajo cenon prezumimin e pafajësisë dhe të drejtat themelore të individit.
Dhoma e Avokatisë Sarandë shpreh shqetësimin dhe kritikat e saj të forta ndaj publikimit nga Kryeministri i Shqipërisë të fotografive të personave, përfshirë studentë, të shoqëruara me pretendime për përfshirjen e tyre në vepra penale.
Praktika të tilla bien ndesh me frymën e legjislacionit të brendshëm dhe me standardet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të afirmuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Ekspozimi publik i individëve, duke i lidhur fotografitë e tyre me akuza penale, rrezikon të cenojë prezumimin e pafajësisë, dinjitetin, jetën private dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Edhe kur një person është dënuar me vendim të formës së prerë, ky fakt nuk përligj çdo formë ekspozimi dhe stigmatizimi publik. Rendi juridik njeh institutin e rehabilitimit dhe synimin e riintegrimit shoqëror të personave të dënuar, jo ndëshkimin e tyre të përhershëm përmes etiketimit publik.
Shfaqje të tilla të kujtojnë praktikën famëkeqe të “fletërrufeve”, përmes të cilave paraardhësit politikë të Kryeministrit ekspozonin dhe stigmatizonin individë, përfshirë të rinj. Rikthimi i kësaj fryme është i papranueshëm në një shoqëri demokratike.
Dhoma e Avokatisë Sarandë kërkon ndërprerjen e kësaj praktike dhe respektimin e të drejtave themelore të çdo individi. Kryeministri ka përgjegjësinë institucionale të garantojë respektimin e këtyre të drejtave dhe të shmangë përdorimin e autoritetit publik për etiketimin dhe denigrimin e qytetarëve.



