
Në analizën e tij në emisionin “MCN Live” lidhur me përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, politologu Ilir Kalemaj vlerësoi se pa një dakordësi politike dhe garanci ndërkombëtare për ndarjen e shtetit nga administrata dhe ndalimin e patronazhimit politik, vendi rrezikon të përsërisë të njëjtin skenar zgjedhor për herë të 20-të.
Sipas Kalemajt, gara për Bashkinë e Tiranës mbetet testi kryesor politik që përcakton se ku do të shkojë Shqipëria edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke pasur parasysh peshën e saj demografike, ekonomike dhe financiare.
Tirana është test lakmusi se ku do të shkojë Shqipëria në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare; në qoftë se janë të parakohshme, akoma më mirë.
Ajo ka 36 deputetë, përbën 40% të popullsisë së Shqipërisë dhe po aq të prodhimit të përgjithshëm bruto, ndërsa Bashkia e Tiranës ka 12,000 të punësuar dhe 500 milionë euro buxhet.
Përballë kësaj peshe, më e rëndësishme se zbarkimi i ministrave dhe deputetëve në terren është fryma opozitare dhe zgjidhja e ngërçeve teknike që deformojnë garën, si financimi i partive dhe përdorimi i administratës.
Zoti Rama mund të zbarkojë edhe 35 ministra e deputetë, edhe 55, por kjo ka të bëjë me frymën. Ka të bëjë gjithashtu me elementë që duken teknikë, por janë thellësisht politikë: reforma për financimin e partive politike dhe ndarja e shtetit nga administrata publike, pasi në zgjedhjet e fundit kanë qenë 9,000 patronazhistë të angazhuar.
Nëse nuk merren masa dhe nuk ka një dakordësi politike me bekimin e ndërkombëtarëve, do të shkojmë në të njëjtën formë për herë të 20-të. Është jetike të ndahet ushtria e patronazhimit politik, e paguar me paratë e taksapaguesve, nga mjetet e shantazhit për të deformuar zgjedhjet.
Duke u ndalur te aktivizimi i elektoratit opozitar, Kalemaj solli si shembuj konkretë rastet e fundit në Hungari dhe Serbi, ku lëvizje të reja politike dhe qytetare arritën të përmbysnin makineri të konsoliduara pushteti.
Mund të ekzistojnë sisteme që janë thellësisht në favor të njërës palë, si rasti i Viktor Orbanit në Hungari, dhe që u thye. Sot 2/3-tat i mori Peter Magyar, duke thyer makinerinë elektorale të Orbanit, i cili kishte 350 media nën një ombrellë, kishte financimin, paratë dhe oligarkët.
Arriti ta thyente një konservator tjetër që krijoi një lëvizje të re.
Apo rasti i Serbisë, ku një lëvizje horizontale dhe decentralizuese e studentëve shkriu edhe partitë e vjetra, krijoi një frymë të re dhe përmbysi pushtetin.
Sa do të zgjasin në pushtet apo çfarë kohezioni do të kenë është analizë tjetër, por ata arritën ta thyejnë sistemin. Edhe sistemet më të mbyllura thyhen nga fryma.
