Drejtori ekzekutiv i kompanisë që menaxhon Kullën Eiffel, Patrick Branco Ruivo, do të japë dorëheqjen në fund të vitit, pas një vale të ashpër reagimesh për zëvendësimin e stafit femëror me kolegë meshkuj gjatë vizitës së një delegacioni fetar hindu.
Një hetim i brendshëm i kompanisë SETE konfirmoi se organizimi i vizitës së grupit Bochasanwasi Akshar Purushottam Swaminarayan Sanstha (BAPS) përmbante "të meta dhe mangësi operacionale të papranueshme", pasi u pranua kërkesa e tyre për të kufizuar ndërveprimet me gratë.
Ngjarja, e cila ndodhi në fillim të këtij muaji, shkaktoi një incident të madh politik dhe social në Francë. Punonjëset femra jo vetëm që u zëvendësuan, por u udhëzuan të mos kalonin në zona të caktuara, gjë që bëri që stafi të niste një grevë dhe ta mbyllte monumentin në shenjë proteste.
Ndërsa politikanët francezë e dënuan ashpër ngjarjen duke e quajtur "të papranueshme shtyrjen mënjanë të grave për vizitorët e huaj", grupi BAPS i cili praktikon ndarjen strikte gjinore bazuar në rregullat e shekullit të 18-të kërkoi falje publike për shqetësimin e shkaktuar.



