
Kryeministri Edi Rama dhe Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, mbajtën sot fjalët përmbyllëse në Konferencën e Dytë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, duke përcjellë mesazhe optimiste mbi rritjen ekonomike të vendit, fondet e Planit të Rritjes dhe perspektivën e afërt të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama deklaroi se ekonomia shqiptare është trefishuar në 12 vitet e fundit, duke kaluar nga 10 në 30 miliardë euro, ndërsa objektivi i qeverisë është që ajo të dyfishohet sërish deri në vitin 2040.
Ai theksoi gjithashtu se buxheti i shtetit arrin për herë të parë në 10 miliardë euro.
Duke e përshkruar transformimin e vendit si një rrugëtim “nga epoka e akullit te temperatura e dhomës”, kreu i qeverisë bëri të ditur se është kthyer me lajme të mira nga Samiti i fundit BE-Ballkani Perëndimor dhe se Shqipëria do të përfitojë më shumë fonde nga Plani i Ri i Rritjes.
E përshkova rrugën nga epoka e akullit deri te temperatura e dhomës. E kam të vështirë të besoj ku e nisëm. 12 vite më parë, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor u ulën për herë të parë në Berlin, në një tryezë të përbashkët, me ftesën e Merkelit. Ajo që sot është rutinë diplomatike, atë kohë ishte historia që ndodhte.
Ajo e hapi me fjalët: ‘Mirë se erdhët në Berlin, në një bashkëbisedim mes europianësh. Ju nuk jeni ende pjesë e BE-së, por jeni europianë dhe është koha ta ktheni rajonin në një vend ku rregullat europiane zbatohen në tërësi në rajon’. Kështu nisi Procesi i Berlinit.
12 vite më pas është koha që të mos shihemi më vetëm përmes lenteve të zgjerimit, si rajon që përpiqet të kapë ritmin me BE-në. Jemi destinacion investimi, një kënd në rritje i Europës. Ballkani Perëndimor është një propozim dhe duhet të vërtetohet me projekte e rezultate. Më lini t’ju jap argumentin për vendin që njoh më mirë.
Një dekadë më parë ishim një ekonomi 10 miliardë euro, sot jemi një ekonomi 30 miliardë euro dhe synojmë të bëjmë më shumë. Gjendemi mes Adriatikut dhe Jonit, përballë Italisë, portë hyrëse në Ballkan, anëtare e NATO-s dhe synojmë të jemi anëtare e BE-së. Shqipëria do të marrë më shumë nga Plani i Rritjes, jo si nder, por sepse kemi bërë mirë detyrat e shtëpisë.
Nga ana e saj, Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, u bëri thirrje sipërmarrësve evropianë të investojnë në Ballkanin Perëndimor, duke konfirmuar se për herë të parë pas anëtarësimit të Kroacisë, Bashkimi Evropian po përgatitet seriozisht të mirëpresë anëtarë të rinj deri në vitin 2030.
Zgjidhni Ballkanin Perëndimor për investimet tuaja.
Dy vendet më të avancuara në këtë proces janë nga ky rajon. Mali i Zi është shumë afër dhe që verën e vitit të ardhshëm mund të nënshkruajë marrëveshjen e anëtarësimit.
Shqipëria po ashtu po ecën në të njëjtën rrugë; viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë, nëse qeveria vijon të ecë me të njëjtin ritëm reformash. Edhe Maqedonia e Veriut po ecën me ritme të shpejta.
Komisionerja nënvizoi se rritja ekonomike kërkon siguri juridike për t'u dhënë besim investitorëve afatgjatë, ndërsa shtoi se vendet kandidate do t'i ndiejnë përfitimet konkrete të integrimit përmes aksesit në tregun e përbashkët dhe fondeve të BE-së edhe përpara anëtarësimit të plotë.
Mundësitë ekonomike pritet të rriten, ne po modernizojmë mënyrën se si vendet kandidate do të mund të anëtarësohen në BE.
Ne synojmë të zgjerojmë bashkëpunimin në fushën e teknologjive digjitale. Lidhjet e reja të transportit dhe energjisë, janë veçanërisht të rëndësishme. Shumë prej korridoreve të reja tregtare të Europës kalojën përmes Ballkanit Perëndimor.
Kjo është mundësi që Ballkani Perëndimor të shfrytëzoj pozicionin e vet qendror në hartën e Evropës.
Mesazhi im për investuesit evropianë, Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e BE, por shumë prej mundësive ekzistojnë tashmë këtu, dhe ato do të shtohen me zgjerimin e qasjes dhe me më shumë fonde nga BE, ndaj shfrytëzojini këto mundësi.
