Mijëra banorë dhe dhjetëra biznese në disa fshatra të Lezhës vijojnë të jenë pa energji elektrike që prej orës 10:00 të paradites së sotme.
Konkretisht, ndërprerja e furnizimit me energji ka prekur zonat e Kolshit, Manatisë, Treshit, Spitenit, Markatomajt, Zejmenit, Gajushit dhe Pllanës.
Mungesa e energjisë për orë të tëra ka krijuar vështirësi të mëdha dhe shqetësim të shtuar për familjet dhe bizneset e këtyre fshatrave, të cilat po përballen me pamundësinë për të vijuar normalisht aktivitetin e tyre të përditshëm.
Nga ana tjetër, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) bën me dije se shkak i ndërprerjes është bërë një defekt në rrjetin elektrik dhe se grupet e punës ndodhen në terren për riparimin e tij dhe rikthimin e furnizimit.
Megjithatë, deri në këto momente energjia elektrike nuk është rikthyer ende, ndërsa banorët presin zgjidhjen e shpejtë të situatës dhe normalizimin e shërbimit.
