Pentagoni po përgatit bazat kryesore ushtarake amerikane për të përballuar një konflikt të mundshëm, në të cilin sulmet kibernetike, sabotimet apo goditjet e tjera mund të ndërpresin rrjetet elektrike dhe zinxhirët e furnizimit.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Fox News Digital, objektivi është që instalimet ushtarake të jenë në gjendje të vijojnë operacionet thelbësore për të paktën 90 ditë pa mbështetje nga jashtë.
Plani është pjesë e iniciativës “FORTRESS America”, të prezantuar më 30 shtator nga Sekretari i Luftës, Pete Hegseth. Ai synon të garantojë furnizimin e pandërprerë me energji elektrike, ujë, karburant dhe komunikime, edhe në rast se infrastruktura civile pëson dëmtime të rënda.
Për këtë qëllim, parashikohet përdorimi i reaktorëve të vegjël bërthamorë, baterive të magazinimit të energjisë dhe rrjeteve elektrike të pavarura. Plani përfshin gjithashtu krijimin e rezervave të municioneve, karburantit, ilaçeve dhe gjakut, si dhe mbrojtjen e instalimeve nga sulmet kibernetike, sabotimet dhe dronët.
“Ne do të sigurohemi që Amerika të mos mund të ngordhë urie, të mbyllet ose të izolohet”, deklaroi Hegseth, duke theksuar rëndësinë e forcimit të kapaciteteve mbrojtëse brenda vendit.
Sipas Pentagonit, objektivi është që ushtria amerikane të vijojë funksionimin edhe në kushtet e një krize të rëndë, pa u varur nga infrastruktura dhe furnizimet civile.



