Ukraina ka sfiduar hapur kërkesën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke ndërmarrë një nga sulmet më të mëdha me dronë të këtij viti ndaj infrastrukturës energjetike ruse.
Operacioni ka shkaktuar zjarre në Terminalin e Naftës në Shën Petersburg si dhe goditi një qendër logjistike dhe një qendër të dhënash të rrjetit social VKontakte. Ky sulm vjen pas deklaratave të fundit të Trump, i cili i quajti goditjet e Kievit ndaj rafinerive ruse një “turp” dhe pretendoi ekzistencën e një marrëveshjeje për armëpushim energjetik.
Kjo lëvizje ka thelluar përplasjen diplomatike mes dy vendeve, në një kohë kur Kievi ka frikë se mund të humbasë mbështetjen thelbësore amerikane përpara dimrit. Presidenti Volodymyr Zelensky reagoi ashpër në një intervistë për NBC News, duke thënë se pozicionimi i SHBA-së në anën e Rusisë do të ishte një "gabim historik".
Zelensky argumentoi se armëpushimi i pretenduar nga Trump nuk u respektua kurrë nga Moska, e cila ka sulmuar dhjetëra herë sektorin energjetik ukrainas ditët e fundit.
Gjithashtu, marrëdhëniet janë tensionuar për shkak të vendimit të Trump për të pezulluar disa sanksione ndaj naftës ruse për të ulur çmimet përpara zgjedhjeve të mesmandatit dhe kufizimeve të pretenduara në sistemin satelitor Starlink për dronët ukrainas.
Pavarësisht këtyre përplasjeve publike dhe bllokimit të përkohshëm të inteligjencës amerikane, Zelensky konfirmoi se po mban një komunikim të pandërprerë me të dërguarit e Trump për të gjetur një rrugë drejt paqes, duke shprehur shpresën se presidenti amerikan do të mbetet një aleat i Ukrainës.



