Një prokuror serb i cili po hetonte dyshimet për korrupsion lidhur me një projekt të Donald Trump në fushën e pasurive të paluajtshme në Beograd, është bërë objektiv i përgjimit përmes programit spiun Pegasus, të prodhuar nga kompania izraelite NSO Group. Sipas një lajmi të publikuar të hënën, shënjestrimi i tij ndodhi pasi ai foli publikisht kundër ndërhyrjeve politike dhe abuzimit me pushtetin.
Rade Bajić, anëtar i Prokurorisë për Krimin e Organizuar në Serbi, është rasti më i fundit i identifikuar në një skandal përgjimesh që ka përfshirë opozitën politike, shoqërinë civile dhe institucionet e vendit. Studimi është realizuar nga Citizen Lab, në Universitetin e Torontos, në bashkëpunim me organizatën serbe për të drejtat digjitale “SHARE Foundation”. Sipas raportit, më 13 gusht, Bajić mori një njoftim sigurie nga Apple përmes iMessage, që sinjalizonte se mund të ishte objektiv i një sulmi të sofistikuar kibernetik.
Zbulimi vjen në një kohë tensionesh lidhur me planet për rikonstruksionin e ish-shtabit ushtarak jugosllav në Beograd dhe shndërrimin e tij në një ndërtesë luksoze, që do të quhet “Trump Tower”. Projekti i Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, është përballur me akuza për ndërhyrje politike dhe parregullsi në procesin e heqjes së statusit të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore për këtë godinë.
Në shtator, u bë e ditur se të paktën 14 persona në Serbi, mes tyre aktivistë studentorë dhe përfaqësues të opozitës, kishin marrë paralajmërime se mund të ishin shënjestruar nga programe të sofistikuara përgjimi. Studiuesit e Citizen Lab konfirmuan se në të paktën një rast telefoni ishte infektuar me Pegasus.
“Përgjimi përmes programeve spiune në Serbi është zgjeruar gradualisht nga shoqëria civile dhe gazetarët te aktivistët studentorë, politikanët dhe tani përfaqësuesit e universiteteve dhe të drejtësisë”, deklaroi Andrijana Ristić, këshilltare për politikat në SHARE Foundation. Sipas saj, ky përshkallëzim nxitet nga mungesa e përgjegjësisë dhe mosveprimi i shtetit, edhe në rastet kur janë depozituar kallëzime penale.
Një tjetër figurë e përfshirë në skandal është Vladan Đokić, rektor i Universitetit të Beogradit, telefoni i të cilit, sipas të njëjtit raport, ishte infektuar me Pegasus.
Đokić është bërë një nga figurat e njohura të lëvizjes së protestave në Serbi, pasi refuzoi të lehtësonte masat e qeverisë kundër studentëve protestues. Ai është përballur me presion të vazhdueshëm nga autoritetet, përfshirë një kontroll policor në zyrat e universitetit më 31 mars, gjatë të cilit, sipas raportimeve, u sekuestruan kompjuter dhe servera.
Deri në shtator, emri i Đokić përmendej gjithashtu si një kandidat i mundshëm për të udhëhequr listën zgjedhore të mbështetur nga studentët, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të planifikuara në Serbi për 25 tetor.
Deri më tani, nuk është identifikuar se kush qëndron pas përdorimit të Pegasus kundër Bajić dhe Đokić.
“Prej një dekade, NSO pretendon se po ndryshon qasje sa herë që zbulohet një rast abuzimi. Por e vërteta nuk mund të fshihet: Pegasus është një teknologji e përdorur për represion”, deklaroi John Scott-Railton, studiues në Citizen Lab.
“Nuk është rastësi që njerëzit që mbrojnë lirinë përballë korrupsionit vazhdojnë të bëhen objektiv i sulmeve përmes produkteve të NSO-së.”



