Përmes një deklarate të bërë publike, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka denoncuar me tone të ashpra vendimin e institucioneve për klasifikimin e transferimit të tij si "sekret shtetëror".
Sipas tij, kjo lëvizje është një përpjekje e qëllimshme për t'i bllokuar mbrojtjes ligjore mundësinë për të kundërshtuar efektivisht procedurën.
Veliaj ka vënë në dukje kohën e gjatë që iu desh institucioneve të burgjeve për të dhënë një përgjigje, duke e cilësuar të gjithë situatën si një proces të montuar dhe arbitrar.
“U deshën plot 31 orë që më në fund të na thuhet se vendimi është sekret! Pra, jo vetëm që nuk na vihet në dispozicion akti, por synohet hapur të na mohohet edhe mundësia më minimale për ta njohur, kundërshtuar dhe ankimuar efektivisht atë në rrugë ligjore. Pikërisht këtu kalojmë në faqen tjetër të kësaj maskarade: nga arbitrariteti i pastër i vendimmarrjes, te fshehja e saj pas të ashtuquajturit sekret shtetëror”, shkruan Veliaj.
Në reagimin e tij, Veliaj i ka bërë një thirrje të prerë dhe zyrtare Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që të vërtetojë ligjshmërinë e këtij klasifikimi sekret, duke kërkuar dokumentacionin përkatës nga kreu i ekzekutivit.
“Nëse pretendoni se ky akt është i klasifikuar, atëherë na vini menjëherë në dispozicion autorizimin e Kryeministrit të vendit, i cili ju autorizon ju si autoritet klasifikues”, shprehet Veliaj.




