Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit të së enjtes në rrethrrotullimin e Kolonjës, në autostradën Fier-Lushnje. Një automjet tip fuoristradë ka dalë nga rruga, është përplasur me barrierat metalike dhe ka rënë në një kanal në pesë metra thellësi.
Për nxjerrjen e pasagjerëve u desh ndërhyrja e menjëhershme e forcave zjarrfikëse të Lushnjes dhe stafit mjekësor. Nga ky aksident mbetën të plagosur me lëndime të shumta një çift bashkëshortësh, të cilët u dërguan me urgjencë në spitalin e Lushnjes. Fatmirësisht, ngjarja kaloi pa viktima.
Sipas ekspertëve të qarkullimit rrugor, shkaqet paraprake të aksidentit janë shpejtësia e lartë dhe lagështia e madhe në rrugë si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, çka ka bërë që shoferi të humbë kontrollin përpara rrethrrotullimit.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa vlen të theksohet se rrethrrotullimi i Kolonjës njihet si një nga "pikat e zeza" me historik aksidentesh fatale në këtë aks.



