Paratë e AKSHI-t, korruptuan Vlora Hysenin/ Si u zbulua rrjeti i kompanive që dërguan paratë te vëllai i kreut të SHISH?

Paratë e AKSHI-t, korruptuan Vlora Hysenin/ Si u zbulua rrjeti i kompanive që dërguan paratë te vëllai i kreut të SHISH?

“Ne jemi aty ku të tjerët nuk janë, sigurojmë informacione që të tjerët nuk i kanë dhe bëjmë më të mirën për sigurinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.”

 

Kjo është fjalia me të cilët përballesh sapo hyn në faqen zyrtare të Shërbimit Informativ Shqiptare. 

 

Por kush është SHISH sipas vetë shpjegimit të institucionit. Paragrafi i mëposhtëm tregon rëndësinë e tij në funksionimin e shtetit shqiptar. 

 

“Është institucion qendror në Republikën e Shqipërisë dhe instrument i rëndësishëm i arkitekturës së sigurisë së vendit, i ngarkuar për sigurimin dhe prodhimin e inteligjencës nga brenda dhe jashtë vendit kundër kërcënimeve të terrorit, spiunazhit, rendit kushtetues dhe krimit të organizuar. Për ne atdheu është i pari. Ne punojmë çdo ditë për ta bërë Shqipërinë më të sigurt.”

 

Në faqen online, krahas shpjegimit se çfarë është SHISH, është përcaktuar edhe misionn, i cili është mbrojtja e sigurisë kombëtare, nëpërmjet instrumenteve të inteligjencës, përtej fakteve dhe opinioneve të disponueshme publikisht. 

 

Kjo gjë i mundëson SHISH të vlerësojë dhe parashikojë prapaskenat, të hedhim dritë mbi sfondin dhe të ofrojmë një pamje objektive të kërcënimeve dhe rreziqeve të pranishme dhe atyre potencialisht të mundshme, për të parandaluar dhe ndërprerë çdo aktivitet që cënon interesat kombëtare të Republikës së Shqipërisë

 

Ndërsa kjo është një video që tregon historinë e SHISH se si u ngrit nga Ismail Qemali, u drejtua nga figura të rëndësishme të rilindjes kombëtare, kaloi në disa sisteme politike si ai i mbretërisë, komunist dhe për të mbërritur në demokraci. 

 

Gjatë regjimit shërbimi u kthye në një mashë të pushtetit të Enver Hoxhës dhe e njëjta gjë ndodhi edhe gjatë viteve të para të demokracisë ku SHISH nuk u shkëput dot nga ndikimi politik. Gjatë qeverisjes së parë të Partisë Demokratike 1992-1996 u përdor si mekanizëm për të përndjekur kundërshtarët politik dhe forcuar pushtetit e Sali Berishës. 

 

Pas vitit të mbrapshtë 1997 imazhi për këtë strukturë të sigurisë filloi të ndryshojë dhe pati angazhim të aleatëve sidomos atyre amerikan dhe anglez. Synimi ishte që kjo strukturë të bëhej imune ndaj politikës dhe rreziqeve të tjera ndaj shtetit ligjor, sidomos të krimit të organizuar. 

 

Pavarësisht kësaj edhe gjatë 30 viteve të fundit gjithmonë ka pasur akuza politike apo edhe ndjekje në drejtim të atij që ishte në krye të SHISH, por që asnjëherë nuk u vërtetuan apo të përfundonin në arrestime apo dënime përfundimtare gjykatash.

 

Por agjencia sekrete shqiptare nuk i kishte parë të gjitha deri në datën 22 shtator të këtij viti. Në një njoftim për mediat Prokuroria e Posaçme sqaroi se gjykata kishte miratuar një kërkesë të saj për të arrestuar Vlora Hysenin, drejtuesen e SHISH.

 

Akuza e SPAK për numrin një të shërbimit sekret shqiptar është mjaft e rëndë, nxjerrja e sekreteve shtetërore dhe jo me një personazh të dorës së dytë, por më një të arrestuar nga SPAK, për grup të strukturuar kriminal. Informacionet që duhet ti mbronte Vlora Hyseni vendoste t’i shpërndante me një person ndaj të cilit ka një ngarkesë të madhe penale, për vepra të rrezikshme që shkojnë deri tek marrja peng e biznesmenëve.

 

Po flasim për Ergys Agasin që sipas prokurorisë akuzohet si personi kryesorë në funksionimin e aferës korruptive të AKSHI-t, i cili ngritit një grup kriminal për të kanalizuar një pjesë të mirë të tenderave që zhvillonte AKSHI drejt kompanisë së tij. 40 milion euro pasuri i ka sekurstruar SPAK Agasit dhe personave të tjerë të përfshirë në dosjen e AKSHI-t.

 

Pavarësisht se mediat flisnin për këtë gjë të paktën që prej dhjetorit të 2025 kur Ergys Agasi u shpallë në kërkim për veprat e mësipërme penale, këto lajme nuk kishin rënë në veshin e Vlora Hysenit.

 

 Ajo presupozohet të jetë njeriu më i informuar në Shqipëri, duke qenë se drejtonte shërbimin inteligjent shqiptarë dhe të ishte ndihmë për SPAK, siç edhe parashikojnë detyrat e saj ligjore.

 

Numri një i shërbimit inteligjent bënte të kundërtën. Vlora Hyseni, komunikonte me Ergys Agasin gjatë kohës që ai ishte kërkim dhe sipas hetimeve të kryera nga dy prokurorët e çështjes për dy muaj ajo ka komunikuar me Ergys Agasanin, të paktën 10 herë në ditë.

 

“Në lidhje me komunikimet ndërmjet Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit, të ruajtura në funksionin BIOME të aparatit telefonik të shtetasit Ergys Agasi janë të ruajtura gjithsej 508 forma komunikimi (calls, voice, video calls, messages, chat messages) ndërmjet këtyre dy shtetasve për periudhën e sipër-cituar.” – Dosja e SPAK

 

508 forma komunikimi me një person të kërkuar me ngulm nga SPAK nga data 28 qershor 2026 deri në 26 gusht 2026, ditë kur Ergys Agasi u arrestua në zonën e Plepave në Durrës. Kryesisht ata kanë përdorur platformën Signal dhe shefja e spiunazhit shqiptar ka përdorur një numër Kosovar. 

 

“Identifikimi i këtij përdoruesi si Znj. Vlora Hyseni mbështetet ndër të tjera në kontrollin e kryqëzuar me platformën “Viber”, ku i njëjti numër telefoni rezulton i regjistruar me emrin “Vlora”dhe me fotografi që kanë karakteristika fizike të ngjashme me Znj. Vlora Hyseni, në faktin se vetë Z. Ergys Agasi e ka regjistruar këtë kontakt me inicialet “V H”, në përmbajtjen e vetë komunikimeve, nga të cilat rezulton se përdoruesi është nga Kosova, punon në Tiranë dhe ka takime të shpeshta, për shkak të detyrës, me Kryeministrin e vendit rrethanë që përkon me detyrën publike të Znj.Vlora Hyseni.”- Dosja e SPAK

 

Gjatë kësaj kohe “halli” më i madh i drejtueses së SHISH është “halli” i Ergys Agasit. Komunikimet mes të dyve nuk tregojnë vetëm lidhjen personale mes të dyve.

 

Për SPAK dhe Gjykatën e Shkallës së Parë tregon gatishmërinë e saj për t’i qëndruar pranë e për ta ndihmuar gjatë kohës që ai ishte në kërkim, duke vënë kështu në dispozicion cilësinë e saj zyrtare dhe kapacitetet institucionale që drejton. 

 

“Krejt këta njerëz që na kanë bërë, çka na kanë bërë dua që të paguajnë.”

 

Në një bisedë mes tyre, para arrestimit së Z. Ergys Agasi, ajo i shkruan këtë mesazh, 

“Zemer thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot... Të gjithë ne. Znj. Vlora Hyseni më tej i dërgon Z.Ergys Agasi mesazhin, “Cfarë na bënë o Zot”- Dosja e SPAK

 

Këtë mënyrë komunikimi SPAK e shikon si angazhim të drejtpërdrejtë ndaj prokurorëve të cilët po hetonin deri në ato momente Ergys Agasin, për aferën e AKSHI-t. 

 

Por këto komunikime dhe provat e marra në forma të tjera e çuan hetimin në drejtim tjetër. Vlora Hyseni shpërndante të dhëna sekrete me drejtuesin e një grupi kriminal, duke venë në pikëpyetje të madhe sigurinë kombëtare të vendit. 

 

Në vijim të komunikimeve, Znj. Vlora Hyseni, tregon se do të takohet me Kryeministrin dhe i tregon se sa kohë do rrijë tek ai. 

 

“Po me presin me shku te km... Jo mo zemer une nje ore nuk rri me shume me ate.” Gjithashtu me datë 24.08.2026 i komunikon: “Neser duhet ta takoj km ne 8:30”. – Dosja e SPAK

 

Në mesazhet vijuese Znj. Vlora Hyseni i jep Z. Ergys Agasi informacion edhe për itinerarin, natyrën e takimit dhe partnerët ndërkombëtarë me të cilët do takohet, duke u vijuar përmbajtja e tyre në këtë formë. Por më e rëndësishmja është që flitet për një takim në kryemnistri mes saj, kryeministrit dhe drejtorit të policisë së shtetit Skënder Hita. 

 

“Më doli nje takim urgjent... Me sauditet... Kthehem neser në ks prapë.” 

 

Prokuroria dhe gjykata e shkallës së parë referojnë më tej se përpjekjet e drejtueses së SHISH, Znj. Vlora Hyseni, për të ndihmuar personin nën hetim, Z. Ergys Agasi, edhe në instanca të tjera pasqyrohen edhenë mesazhin e datës 19.08.2026, në përmbajtjen e së cilit e informon se: “Skenderi me thirri me u taku te hënën.Të shpresojmë që ka porosit km.”

 

Në këtë pasazh flitet për porosi në lidhje me paprekshmërinë e Ergys Agasit në arrati, por prangosja e tij ndodhi 9 ditë pas këtij takimi. 

 

Hetimi i prokurorëve të SPAK në këtë çështje tregojnë praninë e një rrjeti ndërkombëtare në funksion të këtij grupi kriminal. Prani e këtij rrjeti për gjykatën është një rrezik i madh për mundësinë e arratisjes së Vlora Hysenit. 

 

“Rrjet ky që rrit shkallën konkrete të rrezikut se Znj. Vlora Hyseni, po të mbetej në gjendje të lirë, do të kishte akses të privilegjuar ndaj kanaleve të largimit apo të fshehjes që janë jashtë kontrollit efektiv të organeve proceduese. Prokuroria arsyeton më tej se në rastin konkret vetëm masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” dhe Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, janë të vetmet masa të përshtatshme për të garantuar nevojat e sigurimit të procedimit.”- Dosja e SPAK

 

Por kush janë personat që janë pjesë e këtij rrjeti të cilët i dyshon SPAK dhe ndikimi që ka Ergys Agasi tek ata? Nga komunikimet grupi hetimor ka identifikuar dy shtetas izraelit njeri i identifikuar në kontaktet e regjistruara në telefonin e Agasit si Shalev Israel dhe tjetri si Srulik Einhorn Koces. 

 

Tema e diskutimit është Vlora Hyseni dhe lidhja e ngushtë që Agasi ka me të. Kontaktit Shalev Israel ai i shkruan: “E kam shoqe të ngushtë shefen e shërbimit sekret.” 

 

Ndërsa mesazhi me Srulik Einhorn Koces është pak me i gjatë dhe përmenden amerikanët si dhe takime ku do të diskutohet për prokuror. 

 

“Jemi me fat që këtu e kanë kapur vetë amerikanët dhe e dinë sjelljen e tij dhe diçka tjetër, drejtoresha e shërbimit sekret do të takohet vetë me të dhe do t'i flasë për këtë punë, duke i sjellë prova që prokurori e ka bërë këtë për interesa të tjera.” – Dosja e SPAK

 

Vlora Hyseni është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni në datën 18 shtator 4 ditë para se SPAK të njoftonte arrestimin. Asaj i është kërkuar sqarime dhe mbi origjinën e 9 dokumenteve sekretë të SHISH që u gjetën në makinën e Ergys Agasit, gjatë kontrolleve të SPAK. 

 

Ish-drejtoresha e SHISH ka pranuar komunikimet në Agasin deri ditën e arrestimi pasi ai i kishte ofruar bashkëpunim, por prokuroria ka tjetër mendim për këtë alibi të ngritur nga ajo.

 

“Vlora Hyseni ka pranuar komunikimin e vazhdueshëm me Z. Ergys Agasin deri në ditën e arrestimit të tij, ka deklaruar se ai i ka ofruar “bashkëpunim”, ka mohuar takime fizike apo faktin që Z. Ergys Agasi të ketë siguruar informacione nga Shërbimi Informativi Shtetit, dhe është zotuar të kthejë përgjigje zyrtare, me shkresë të klasifikuar, mbi origjinën e diagrameve të sekuestruara. Prokuroria dhe gjykata e shkallës së parë referojnë më tej se, ashtu sikurse rezulton nga bisedat e mësipërme, Z. Ergys Agasi, jo vetëm që nuk është në rolin e “bashkëpunëtorit”, por në të kundërt është ai qe merr dhe dikton informacionin e marrë. Më tej prokuroria dhe gjykata e shkallës së pare sjellin në vëmendje se, për më tepër, për të ashtuquajturin bashkëpunëtor, Drejtori i SHISH nuk ka vënë në dijeni asnjë nga instancat qoftë dhe paralele apo brenda institucionit.”- Dosja e SPAK

 

Telefoni i Ergys Agasit, është prova kryesore që ka SPAK në dorë pasi nga aty nisin veprimet hetimore të cilat, të çojnë tek të gjithë personat që kanë pasur rol në arratinë e tij 8 mujore, por edhe që zyrtarët që e kanë ndihmuar. 

 

Sipas SPAK ndikimi i Agasit në policinë e shtetit edhe pse në arrati ishte shumë i madhe. Ulian Shpataraku një ish punonjës policie, i cili u arrestua bashkë me të , nuk ishte i vetmi bashkëpunëtor i tij në radhën e policisë. 

 

Fation Kalluçi, përgjegjës në laboratorin e policisë shkencore i ka dërguar Ergys Agasit aktin e ekspertimit të provave që u gjetën në makinën e këtij të fundit. Hetuesit kanë gjetur komunikime mes të dyve në platformën Signal të cilat sipas SPAK janë të mjaftueshme për të ngritur akuzën e nxjerrjes së sekretit hetimor.

 

I arrestuar si një nga ndihmësit e Ergys Agasit është edhe Embro Sulejmani, i punësuar si kamarier në restorantin “Kodra e Kuajve” në Durrës. Nga dosja sipas hetuesve ai ka patur rol mbështetës sepse e ka shoqëruar në disa udhëtime që Ergys Agasi ka kryer. 

 

Nga mënyra e se si SPAK ka renditur faktet e mësipërme duket se mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit ka një lidhje personale dhe për këtë arsye ajo ka nxjerrë sekretin hetimor. 

 

Por grupi hetimor ka shkuar me tej duke nisur dhe një hetim pasuror për Vlora Hysenin dhe është duke e hetuar për akuzën e korrupsioni dhe pastrimit të parave. 

 

SPAK dyshon se familjarë të saj kanë përfituar para dhe origjinë e tyre dyshohet se janë fondet e AKSHIT, ku Ergys Agasi ishte de fakto drejtues i këtij institucioni pasi përcaktonte vlerën e kontratave publike, kush i fitonte dhe si shpërndaheshin paratë mes kompanive. Këtë skemë sipas prokurorëve ai e bashkëdrejtonte me Ermal Beqrin, edhe ky i fundit i arrestuar në Francë. 

 

Seanca e datës 3 nëntor në Gjykatën e Posaçme të Apelit për caktimin e masës së sigurisë për Vlora Hysenin, ka shërbyer për prokurorinë të paraqesë prova të reja të cilën e implikojnë atë në një skemë të dyshuar si korruptive dhe që ka shërbyer edhe për pastrimin e parave.

 

Gjithçka nis tek një tender i zhvilluar nga AKSHI në vitin 2023 në vlerën rreth 17 milion eurove për “Laboratorët SMART” në shkolla tender i cili i fitua nga bashkimi i kompanive Albascan dhe Sinteza Co. 

 

Nga tetori 2023 deri në mars 2024, Albascan kishte arkëtuar rreth 15 milion euro. Në datën 21 mars 2024 Albascan, i kalon rreth 1.5 milion euro kompanisë Sinteza, e cila po atë ditë i kalon kompanisë Enklo Konstruktsion rreth 1,2 milion euro.

 

Hetimet e SPAK zbuluan një absurd të madh në këtë histori pasi kompania Enklo nuk kishte lidhje me fushën e teknologjisë dhe merrej vetëm me ndërtim dhe se nuk kishte asnjë kontratë për instalime që kanë të bëjnë me IT-në.

 

Gjatë marrjes në pyetje, administratori i Sinteza Co sh.p.k. pranoi se nuk e njihte fare kompaninë Enklo Konstruksion, dhe se faturat i kishte prerë me udhëzimin e drejtpërdrejtë të shtetasit Elison Jorgji i AlbaScan.

 

Edhe administratori i Enklo Konstruksion deklaroi se nuk kishte kryer asnjë punim IT dhe se nuk e njihte personin tjetër të lidhur me faturën, Shkëlqim Dino.

 

Konkluzioni i prokurorisë është i qartë, Enklo Konstruksion ka shërbyer si një kompani fiktive për qarkullimin e parave që vinin nga tenderat e AKSHI-t.

 

Skema nuk përfundon këtu pasi Enklo Konstruktsion ka kaluar drejt kompanisë Fortis Beton e cila zotërohej nga Orest Sota shumën prej 42 milion lekësh të reja- Paratë janë përfituar na datën 25 mars 2024 nëpërmjet një kontrate huaje. Ndërsa 290 mijë euro Enklo i ka përdorur për të blerë një makinë për Ergys Agasin, e cila aktualisht është e sekuestruar nga SPAK.

 

Pjesa me kompromentuese për Vlora Hysenin e cila dyshohet se ka bërë korrupsion dhe ka pastruar para lidhet më dy transferta që janë bërë drejt Gjermanisë. Edhe në këtë rast paratë dalin nga kompania e Orest Sotës, Fortis Beton. 

 

“Më tej ka rezultuar se nga llogaria e Fortis Beton sh.p.k. janë kryer dy transferta jashtë vendit, konkretisht 250.000 Euro me datë 05.03.2024 dhe 250.000 Euro më datë 20.03.2024, në total 500.000 Euro. Transfertat janë kryer në llogarinë e shoqërisë gjermane Wilhelm & Co Planungsgesellschaft, me përshkrimin pagesë për marrëveshjen datë 01.03.2024 dhe Faturë nr. 2501/2024.”- Dosja e SPAK

 

Kompania e Orest Sotës ka blerë shërbimet e projektimit arkitekturore për një ndërtim 17 mijë metra katrorre në Tiranë, por përfituesi i kësaj shumë të madhe parash sipas SPAK nuk ka ardhur asnjëherë në Tiranë, duke ngritur pikëpyetje të mëdha.

 

“Rezulton se Z. Jurgen Kurt, subjekti i shoqërisë përfituese të parave, nuk ka ardhur ndonjëherë në Shqipëri dhe se kompleksi i kontraktuar nuk është ndërtuar. Referohet se në këtë shoqëri është i punësuar një nga vëllezërit e Znj. Vlora Hyseni, duke shërbyer ky fakt dhe faktet e tjera të relatuara më lart dhe në vijim si shkak për të dyshuar se transferta e parave në të vërtetë përbën një përfitim korruptiv të Znj. Vlora Hyseni nga ana e Z.Agasi dhe se për këtë pagesë të paligjshme burimi janë fondet e përfituara në mënyrë kriminale nga AKSHI.”- Dosja e SPAK

 

Më 27 shkurt 2024, Fortis Beton tentoi por pa sukses një tjetër transfertë 450 mijë euro drejt Erd & Tiefbau Dingler GmbH në Mynih, me administrator Izet Dingler, i cili rezulton se është vëllai i Vlora Hysenit, i cili kishte ndryshuar mbiemrin. Plani parashikonte blerjen e aksioneve dhe kalimin e 400 mijë eurove hua tek një shoqëri në falimentim. Për këto transferta SPAK ka pyetur përfaqësues të Forti Beton ndër ta dhe Orest Sotën. 

 

“Për këto transferta dhe marrëdhënie të shoqërisë Fortis Beton sh.p.k. me shoqëritë gjermane është pyetur Z. Ardit Sota dhe Z. Genci Shima. Asnjëri prej tyre nuk ka dijeni për punimet dhe se nuk i njeh shtetasit e shoqërive gjermane. I pyetur mbi këto fakte Z. Orest Sota, ortaku i shoqërisë Fortis Beton sh.p.k.,ka treguar se paratë janë paguar për planin arkitekturor të një pallati që ka patur plan ta ndërtojë dhe se paratë e ardhura nga Sinteza Co sh.p.k. ia kakaluar shoqërisë gjermane. I pyetur se pse ky shënim është gjetur në zyrat e EA Tobaço sh.p.k., Z. Sota ka deklaruar se sugjerimin për shoqërinë gjermane sistudio projektimi arkitekturore ia ka dhënë shoku i tij, Z. Ergys Agasi. Më tej referohet se Fortis Beton sh.p.k. ka shërbyer për kalimin e fondeve të dyshuara korruptive edhe tek Znj. Mirlinda Karçanaj dhe se Z. Orest Sota është lidhje shoqërore e ngushtë e Z. Ergys Agasi.”- Dosja e SPAK

 

Prova që zbërtheu gjithë këtë skemë u zbulua falë sekuestrimit të një flete formati me shënime dore brenda zyrave të kompanisë “EA Tobaço sh.p.k.”, me ortak Ergys Agasi. Në atë fletë pasqyroheshin të gjitha lëvizjet e parave nëpërmjet kompanive që nga fitimi i tenderit të AKSHIT deri tek lëvizjet e tjera të parave. 

 

Sipas organit të akuzës, të gjitha këto transaksione me biznese ndërtimi, projekte fiktive arkitekture në Gjermani dhe blerje aksionesh nuk kishin asnjë qëllim tjetër përveç fshehjes së origjinës kriminale të parave që vinin si abuzim me tenderat e AKSHI-t.

 

Dyshimi i arsyeshëm i hetuesve është se një e pjesë e parave të tenderit të AKSHI-t u përdorën nga Ergys Agasi si përfitime dhe u përdorën për të korruptuar Vlora Hysenin, në këmbim të marrjes prej saj të informacioneve sekrete të SHISH-it.

 

Hetimet me letër-porosi në Gjermani e Kosovë vazhdojnë për zbardhjen e çdo detaji por dukshëm nga paratë e korrupsionit të AKSHI-t janë korruptuar zyrtarë të institucioneve më të rëndësishëm në vend. Dhe pyetja që ngrihet është se kush e radhën pas Shërbimit informativ?

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy