
Një operacion i përbashkët i zhvilluar nga Prokuroria dhe Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), ka goditur një grup të dyshuar për trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në zonën e Gostimës në Gramsh, ka bërë të ditur për “MCN live”, korrespondentja nga Elbasani, Entela Duka.
Sipas saj, gjatë aksionit janë sekuestruar rreth 500 gramë kokainë dhe kanabis, ndërsa janë vënë në pranga disa persona të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Njëri nga personat e arrestuar rezulton se edhe me herët ka qenë i ndaluar për lëndë narkotike. Po hetohet i tërë zinxhiri i shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe të disa efektivëve të policisë qe kanë pasur njohuri për këto shpërndarje dhe nuk e kanë lajmëruar në polici.
Për zbardhjen e plotë të skemës janë përdorur metoda speciale dhe proaktive të hetimit.
Në fazën fillestare, dyshimet e ngritura përfshinin edhe mundësinë e implikimit të efektivëve të Policisë së Gramshit dhe Elbasanit në këtë aktivitet të paligjshëm, çka bëri që në operacion të përfshihej AMP-ja.
Kontrollet dhe veprimet hetimore vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë.
