“Shëtitësit” u kodua një operacion i policisë së Elbasanit gjatë të cilit u zbardhën gjashtë vjedhje të ndodhura gjatë këtij muaji në Elbasan dhe Tiranë, duke vënë në pranga dy persona, me precedentë kriminalë në fushën e vjedhjes.
Si të dyshuar u ndaluan Krenir Medja, 39 vjeç, banues në Lezhë dhe Erind Lluko, 18 vjeç, banues në Tiranë.
Nga hetimet rezultoi se dy të ndaluarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur shuma parash dhe produkte të ndryshme në 3 subjekte në Elbasan, konkretisht:
-Më datë 22.11.2026, në lagjen “28 Nëntori”, në dyqanin e shtetasit D. B.;
-Më datë 20.11.2026, në bulevardin “Aqif Pasha”, në një tabakino në pronësi të shtetasit T. P.;
-Më datë 05.11.2026, në fshatin Vidhas, në lokalin e shtetasit E. M.
Gjithashtu, nga vijimi i veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi Erind Lluko është autor i dyshuar edhe i 3 vjedhjeve të tjera të ndodhura në Tiranë, konkretisht:
-Më datë 14.10.2026, në rrugën e Kosovarëve, në restorantin në pronësi të shtetasit R. K.;
-Më datë 14.10.2026, në rrugën e Kosovarëve, në lokalin në pronësi të shtetasit F. A.;
-Më datë 17.11.2026, në rrugën “Liman Kaba”, në dyqanin në pronësi të shtetasit F. D.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit Erind Lluko, iu gjetën dhe iu sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis sativa, një pistoletë sportive, një kaçavidë dhe një levë, të cilat dyshohet se i përdorte për hapjen me forcë të dyerve të subjekteve.
Nga veprimet hetimore rezultoi se të të ndaluarit kanë precedentë kriminalë në fushën e vjedhjes. Shtetasi Erind Lluko dyshohet autor i një sërë vjedhjesh të kryera më parë dhe rezultonte i shpallur në kërkim nga Komisariatet e Policisë Nr. 2 dhe Nr. 6 Tiranë, si dhe nga Komisariati i Policisë Korçë, për të njëjtën vepër penale.
Ndaj tyre materialet iu referuan Prokurorisë Elbasan, për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
