Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka komentuar procesin e negociatave mes forcave opozitare për daljen me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, si dhe mbylljen e mandatit të tij në krye të Forumit Rinor të PD-së.
I ftuar në MCN Live, Xhaferri tha se edhe pse ende nuk ka negociata zyrtare, pozicionet e partive opozitare janë afruar ndjeshëm krahasuar me javët e shkuara, ndërsa emri i kandidatit pritet të bëhet publik brenda muajit dhjetor.
Negociata zyrtare akoma nuk ka, ato janë në prizmin e një negociate publike, ku secila forcë politike jep platformën se si e mendon për kandidatin për Tiranën. Lajmi i mirë është që në krahasim me javë më parë, kur ishin më absolutë për të dalë në kampe të ndara, tashmë po dalin platforma të cilat po sqarohen se si do e preferonte Partia Mundësia, si do e preferonte Shqipëria Bëhet apo dhe si do e preferonte Partia Demokratike.
Jam besimplotë që do respektohet vullneti i qytetarëve për të pasur një kandidat. Tani shikohet mekanizmi se si duhet të shkojë, në një mënyrë të shpejtë mendoj, që brenda dhjetorit të kemi dhe kristalizimin e kandidatit që do përfaqësojë qytetarët.
Deputeti demokrat propozoi që në tryezat e diskutimit të mos ulen kryetarët e partive, por ekipe ndërmjetësuese, duke shtuar se çdo parti duhet të masë forcat me siglën e saj në garën për këshillat bashkiakë.
Shpresoj shumë që së shpejti të ngrihen ekipe interlokutorësh. Unë mendoj që aspak nuk duhet të jenë kryetarët e partive, por duhet të jetë kandidati në potencial i cili duhet të marrë pëlqimin e të gjitha forcave, dhe pastaj secila parti do bëjë garën e saj me këshillat bashkiakë. Në fund të ditës aty tregohet fuqia e një partie, kur votohet sigla e saj, dhe kandidati, le të themi në thonjëza, është ai koshi i përbashkët i votave.
I pyetur nëse kërkesat e artikuluara në media nga Agron Shehaj dhe Adriatik Lapaj përbëjnë imponim ndaj Partisë Demokratike, Xhaferri e mohoi këtë, duke vlerësuar peshën e çdo vote në garën përballë mazhorancës.
Publikisht thashë që ata kanë shpalosur, nuk e quaj imponim, e quaj që si e mendojnë ata. Dhe po ashtu dhe ne nuk e kemi imponim si e mendojnë. Pesha në fund fare është siç është relative, që është në përqindje, ashtu është dhe absolute që është drejt fitores. Pra edhe 1 mijë vota të nxjerrin fitues.
Xhaferri sqaroi edhe zërat dhe diskutimet mbi mbylljen e mandatit të tij 4-vjeçar në krye të FRPD-së dhe limitin e moshës në statut.
Dhe drejtimin tranzicional të forumit në ato dy muaj proces zgjedhor e merr po përsëri ky grup, sepse mandati im kishte mbaruar. Pastaj për 'marrje peng' unë s'e di, katër vjet është mandati nëse quhet marrje peng të mbarosh katër vjet mandat, Forumi Rinor ka një limit moshe deri 35 dhe nëse ti mbaron mandatin katërvjeçar nën moshën 35, je brenda statutit. Sa për sqarim, jam vetëm 36 vjeç.
