Një tjetër dokument i vitit 2020 është zbuluar nga 'Homeland Justice' i lidhur me Shërbimin Informativ të Shtetit (SHISH) në lidhje me një rialokim të brendshëm të fondeve të tij të planifikuara për investime publike, konkretisht për "Rikonstruksione dhe Ndërtime për Institucionet e SHISH".
Sipas një dokumenti zyrtar të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të firmosur nga ministrja e asaj kohe, Anila Denaj, bëhet fjalë për një transferim fondesh për shpenzime kapitale me vlerë totale prej 1,080,000 lekësh.
Nga të dhënat e tabelës bashkëngjitur shkresës, rezulton se buxheti është ndryshuar duke u hequr disa strukturave dhe duke kaluar në favor të disa drejtorive rajonale.
Nga fondet ekzistuese janë pakësuar gjithsej 1,080,000 lekë nga dy struktura:
• Aparati Qendror SHISH (Kodi 1018001) – i janë pakësuar 856,000 lekë.
• SHISH Drejtoria Rajonale Nr. 4 (Kodi 1018018) – i janë pakësuar 224,000 lekë.
Kjo vlerë monetare e mbledhur është transferuar për dy degë të tjera rajonale të shërbimit sekret, të cilat do t'i përdorin për ndërtime dhe rikonstruksione:
• SHISH Drejtoria Rajonale Nr. 1 (Kodi 1018004) – i shtohen 630,000 lekë.
• SHISH Drejtoria Rajonale Nr. 3 (Kodi 1018014) – i shtohen 450,000 lekë.
Ky vendim është marrë në zbatim të ligjit për buxhetin e vitit përkatës dhe udhëzimeve të Ministrisë së Financave mbi procedurat standarde të zbatimit të buxhetit, pas një kërkese zyrtare të vetë Shërbimit Informativ të Shtetit.



