
Policia e Kavajës ka finalizuar operacionin e koduar “Traces”, duke zbardhur tre raste vjedhjesh të ndodhura gjatë muajit tetor në zonën e Kavajës dhe Golemit, si dhe duke vënë në pranga autorin e dyshuar.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas një pune hetimore të kryer me metoda proaktive, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit Erlind Shehaj, 38 vjeç, banues në Durrës.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se gjatë muajit tetor 2026, 38-vjeçari ka vjedhur shuma parash, një laptop, aparat celular, pajisje të ndryshme elektronike dhe mjete pune në dy subjekte dhe në një banesë, në Kavajë dhe në Golem.
Strukturat policore bëjnë me dije se vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.
