Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj gazetarit irlandez Chay Bowes, i cili është përfshirë këtë të hënë në listën e personave të sanksionuar nga Bashkimi Europian për përhapjen e propagandës proruse.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama ka shpërndarë dy publikime të Bowes lidhur me protestat në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një “klloun të propagandës ruse”.
“Dhe një klloun i propagandës ruse, i cili u sanksionua sot nga Bashkimi Europian pikërisht sepse është një klloun i paguar nga Rusia.
Por pse Shqipëria? Sepse Shqipëria ka shkuar shumë larg me ngritjen e saj dhe afrimin e shpejtë drejt objektivit historik: Anëtarësimit në Bashkimin Europian”, shkruan Rama.
Gazetari Bowes, pjesë e medias ruse RT, u përfshi në listën e sanksioneve të Bashkimit Europian. Sipas Këshillit të BE ai ka marrë pjesë në manipulimin e informacionit dhe përhapjen e narrativave që legjitimojnë dhe mbështesin luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
