Emisioni “FactCheck” në MCN TV sjell një kronologji të grabitjeve më të bujshme në sistemin bankarë e zyrat e këmbimit valutor. Në afro tre dekada, nisur nga 1993 episodet janë masive. Ndërsa fatura e lënë pas nga maskat me kallash, thika e deri monopatinat arrijnë në mbi 60 milionë euro.
E hëna e parë e nëntorit 2026 do të niste me një alarm për sistemin bankar e jo vetëm në kryeqytet. Në orën 10:45 minuta të paradites, alarmi i kuq u shënua nga selia e bankës Raiffeisen, selia e saj qendrore në zonën e Komunës së Parisit.
Një person i maskuar me një armë në dorë mori një shumë parash nga arka e filialit, teksa në atë moment stafi dhe klientët ndodheshin aty. I dyshuari është shpallur në kërkim, ndërsa kjo ngjarje i shtohet një liste të gjatë prej më shumë se 20 episodeve.
Teksa kinematografia s'kishte prodhuar ende skenarin e Casa de Papel dhe sistemi bankar ishte shtetëror. Në vitin e largët 1993 daton edhe grabitja e një banke. Kur vendi kish nisur hapat e para në demokraci, krimi po ashtu po aplikonte metoda që në botë ishin standarde.
29 janar 1993 – Grabitja e Bankës së Kursimeve, Tiranë
Një nga grabitjet e para të bujshme bankare pas ndryshimit të sistemit politik. Ngjarja ndodhi në filialin e Bankës së Kursimeve në bulevardin “Zogu i Parë”. Sipas raportimeve të kohës, ngjarja iu faturua grupit “Hakmarrja për Drejtësi”.
Mars 1997 – Plaçkitjet e bankave gjatë trazirave në Shqipëri
Gjatë krizës së vitit 1997, bankat dhe institucionet financiare u përfshinë në valën e plaçkitjeve që përfshiu vendin. Ndër rastet më të bujshme ishte ai i filialit të Bankës Kombëtare Tregtare, dega Vlorë. Por në total janë mbi 10 episode.
Teksa viti i mbrapshtë lihej pas, skenarët e grabitjeve të bankave vetëm sa shtoheshin dhe sofistikoheshin.
12 janar 1998 – Grabitja e Bankës së Tropojës
Shuma e marrë prej aty arrinte në afro gjysmë miliard lekë; sipas dokumenteve, u konkludua një grabitje me vlerë 480 milionë lekë.
Por kjo s'do të ishte e fundit. Dhjetë muaj më pas, më 29 tetor 1998, kur situata e rendit dhe sigurisë në vend ende s'ishte stabilizuar, në Tropojë banka do të grabitej sërish.
29 tetor 1998 – Grabitja e Bankës së Kursimeve në Tropojë
Një grup i armatosur grabiti bankën dhe nxori kasafortën e blinduar nga ndërtesa, duke përdorur një vinç. Kasaforta u gjet më vonë e hapur në lumin Valbonë. Shuma e raportuar e grabitur ishte mbi 80 milionë lekë.
25 mars 2000 – Vjedhja e Bankës së Kursimeve përmes çekut të falsifikuar
Ngjarja ndodhi në filialin e Bankës në bulevardin “Zogu i Parë”. I dyshuari i arrestuar asokohe ishte shtetasi Kejdi Kote.
23 gusht 2002 – Grabitja e Bankës Kombëtare Tregtare, Vlorë
Kjo ngjarje u realizua nga persona të armatosur dhe të maskuar, ndërsa shuma e grabitur rezulton ndër më të lartat e ndodhura në këtë qytet.
28 shkurt 2004 – Vjedhja e njësisë nr. 4 të Bankës së Kursimeve në Tiranë
Kjo grabitje rezulton e raportuar në vlerën e 2 miliardë lekëve ose 200 milionë lekë të reja. Ndër më të mëdhatë grabitje në vlerë për kohën, me 22 vite më parë.
Teksa bankat ishin privatizuar dhe në treg kishin hyrë edhe marka e kompani të huaja, më 20 qershor 2008 do të grabitej filiali i Raiffeisen Bank, pranë sheshit “Rilindja”, Tiranë.
Një person i maskuar dhe i armatosur arriti të marrë nën kërcënim afro 3 milionë lekë.
Një tjetër bankë e huaj do të grabitej gjatë sezonit të pushimeve, në verën e vitit 2008. E konsideruar si selia e bizneseve në autostradën Tiranë–Durrës, pre e grabitjes ra Banka Kombëtare Greke, ish-NBG. Personat e armatosur arritën të merrnin prej aty 30 mijë euro.
22 nëntor 2008 – Grabitja e filialit bankar në zonën e rrugës Bardhyl, Tiranë
Një person i maskuar grabiti paratë në sportelin e bankës dhe u largua nga vendngjarja me një shumë afro 500 mijë lekë të reja.
Teksa kishte ndryshuar edhe mazhoranca qeverisëse, por jo e gjithë administrata publike, viti 2014 do të rikthente sytë dhe vëmendjen e publikut, medias dhe hetuesve te megaskandali. E denjë për skenarin Casa de Papel, i cili ende s'ishte bërë film, protagonistët e kësaj grabitjeje ishin zyrtarë publikë. Stafi i brendshëm i Thesarit të Bankës së Shqipërisë u zbulua se qëndronte pas 7.3 miliardë lekëve të marra me vjedhje nga thesari. Këto para, kartëmonedha, u morën në një aktivitet të shtrirë në disa muaj dhe u zëvendësuan me libra dhe gazeta.
Një vit më vonë, në 2015, në Shqipëri grabitja e bankave njohu një tjetër nivel. Radha ishte e blindave të transportit të parave. Hetimet zbuluan sa elementë të dobët sigurie, aq edhe përfshirjen e stafit të transportit të vlerave monetare.
13 shkurt 2015 – Grabitja pranë ish-Stacionit të Trenit, Tiranë
Persona të armatosur grabitën paratë që po transferoheshin nga selia e Union Bank te automjeti i blinduar. Shuma e deklaruar ishte afro 2.5 milionë euro.
3 dhjetor 2015 – Grabitja e blindit në aksin Kashar–Rinas
30 qershor 2016 – Grabitja e transportit të parave në aeroportin e Rinasit
Persona të armatosur hynë në zonën e aeroportit dhe sulmuan automjetin e blinduar që transportonte para. Shuma e marrë ishte afro 1 milion euro.
8 gusht 2016 – Vjedhja e kasafortës së Bankës Kombëtare Tregtare në zonën e Bllokut
Ndryshe nga grabitjet nën kërcënimin e armës, këtë herë skema ishte e ndryshme. Nga nëntoka dhe bodrumi i selisë së BKT-së u arrit te kasaforta sekrete.
9 shkurt 2017 – Grabitja e parave në aksin rruga Kashar–Rinas, kthesa e Domjes
Persona të armatosur goditën eskortën e transportit të vlerave monetare, nga ku morën afro 3.2 milionë euro. Hetimet zbuluan se ishte i njëjti grup që realizoi grabitjen te selia e Union Bank.
29 janar 2019 – Grabitja e bankës në Tepelenë
Një person i armatosur grabiti një filial bankar në Tepelenë. Si person i dyshuar u arrestua dhe më pas u vu përpara drejtësisë Kristo Ruçi.
9 prill 2019 – Grabitja spektakolare e Rinasit
Një grup i armatosur sulmoi transportin e parave brenda aeroportit të Rinasit. Gjatë përplasjes me policinë mbeti i vrarë Admir Murataj. Fillimisht u raportua për afro 10 milionë euro të grabitura, ndërsa hetimi gjyqësor faktoi një vlerë prej 6 milionë eurosh.
Viti 2020 rezulton si viti me zero ngjarje në grabitjen e bankave, ndërsa nuk munguan disa episode të vjedhjeve dhe grabitjeve në pikat e këmbimit valutor.
23 janar 2021 – Grabitja e institucionit financiar Kredo.al, Tiranë
Një person i maskuar grabiti një filial të institucionit financiar Kredo.al, duke kërcënuar punonjësit. Po në vitin 2021, këtë herë në dhjetor, filiali i Kredo.al u grabit nën kërcënimin e thikës nga një person i maskuar në qytetin e Peshkopisë.
Teksa kryeqyteti kishte realizuar tunelin e parë nëntokësor në bulevardin “Zogu i Parë”, duke lënë akses hyrës e dalës përballë Ministrisë së Drejtësisë, pakujdesia u dha mundësi personave të dyshuar të ndërtonin një superplan. Fatmirësisht, gjithçka u zbulua në kohë, ndërsa u tentua që, duke çarë themelet e nëntokës së Veve Center, të arrihej te kasaforta e bankës. Ngjarja u parandalua dhe nuk u arrit të merrej asnjë para.
Vitet 2023 dhe 2024 shënojnë tri tentativa për grabitje banke. Por të dy autorët e dyshuar u kapën në kushtet e flagrancës, pa arritur qëllimin e tyre. Këto ngjarje u shënuan në zonën e Astirit, Tiranë, në Durrës dhe Korçë.
Viti 2025 shënon zero ngjarje në raport me grabitjen e bankave, por në marsin e vitit 2025 një person u prangos pasi grabiti në Gjirokastër një zyrë të këmbimit valutor.
12 shkurt 2026 – Tentativa për grabitje e filialit të FiBank
Një 58-vjeçar tentoi të grabiste filialin e FiBank, në zonën e ish-Parkut të Autobusëve, duke hyrë i armatosur dhe duke qëlluar në dysheme për të frikësuar punonjësit dhe klientët. Ai u arrestua nga policia pranë daljes së bankës, ndërsa arma dhe paratë u sekuestruan si prova materiale.
5 mars 2026 – Grabitja e një pike këmbimi valutor në zonën e “5 Majit”
Një person i maskuar dhe i armatosur grabiti një pikë këmbimi valutor në zonën e “5 Majit”, duke u larguar me motor dhe duke marrë rreth 150 mijë lekë të reja.
2 qershor 2026 – Grabitja në filialin e OTP Bank
U regjistrua një tjetër grabitje me armë në filialin e OTP Bank, në rrugën “Gjin Bue Shpata”, pranë Komunës së Parisit dhe stadiumit “Dinamo”. Një person i maskuar dhe i veshur me të zeza hyri në bankë dhe, nën kërcënimin e një sendi në dukje armë, i mori një klienti rreth 10–15 mijë paund, të cilat ai po përpiqej t'i depozitonte në llogarinë e tij. Pas grabitjes, autori u largua me skuter, ndërsa policia ngriti pika kontrolli dhe sekuestroi pamjet e kamerave të sigurisë për identifikimin e tij.



