Buxheti 2027/ 2.3 mld lekë për SPAK, Shehu tek “Ligjet”: Nevojat e rishikuara 2.5 mld lekë! 68% e tij paga dhe sigurime shoqërore

Buxheti 2027/ 2.3 mld lekë për SPAK, Shehu tek “Ligjet”: Nevojat e rishikuara 2.5 mld lekë! 68% e tij paga dhe sigurime shoqërore

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike u mblodh sot, për të shqyrtuar projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027” për SPAK. Gjatë fjalës së tij në komision, Prokurori i Posaçëm, Alfred Shehu, bëri me dije se SPAK ndodhet në hapat e fundit të strukturimit administrativ dhe njoftoi se një pjesë e mirë e stafit hetimor do të zhvendoset së shpejti në ambiente të reja pune.

 

Më tej, Shehu bëri një krahasim të rritjes së buxhetit nga viti 2020 deri në vitin 2026, duke sqaruar se ky ndryshim erdhi si pasojë e zgjerimit të volumit të punës dhe shtimit të personelit.

 

SPAK, si një institucion kushtetues i përbërë nga Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, ndodhet në fazën përmbyllëse të konsolidimit të strukturës së tij administrative dhe plotësimit të infrastrukturës së nevojshme për ushtrimin e funksioneve institucionale. Personeli i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe një pjesë e stafit të Prokurorisë së Posaçme pritet që të vendosen në një godinë të re, që ofron standarde për realizimin e veprimtarisë së tyre.

 

Në realizimin e buxhetit për vitet 2020-2026, buxheti ka shënuar një rritje të konsiderueshme si rezultat i shtimit të volumit të punës, rritjes së numrit të punonjësve dhe zgjerimit të aktivitetit institucional. Plani vjetor i buxhetit është rritur nga 327 milionë në vitin 2020, në 2.3 miliardë lekë në vitin 2026. 

 

Shpenzimet faktike janë rritur nga 167 milionë lekë në vitin 2020, në 1.3 miliardë në vitin 2025. Rritja e planit buxhetor evidentohet ne vitin 2026, krahasuar me vitin 2025, rreth 56.6%.

 

Për sa i përket vitit 2026, përfaqësuesi i SPAK sqaroi se realizimi i fondeve është kushtëzuar nga fazat kohore të shpenzimeve dhe nga vendet e shumta vakante që ende po plotësohen me hetues të rinj. Sipas tij, shpenzimet për paga dhe sigurime shoqërore mbajnë peshën kryesore, duke zënë 68% të totalit të buxhetit të rishikuar.

 

Për vitin 2026, shpenzimet faktike prej 1.2 miliardë lekë dhe niveli i realizimit të shpenzimeve ndikohet edhe nga shpërndarja kohore e realizimit të shpenzimeve. Realizimi i shpenzimeve të personelit ndikohet nga numri i konsiderueshëm i pozicioneve vakante në strukturën e institucionit, e cila lidhet me funksionet hetimore, përfshirë hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerët e policisë gjyqësore, për të cilët proceset e rekrutimit dhe plotësimit të vendeve të punës janë në zhvillim. Për vitin 2026, rezulton se zëri për shpenzimet e pagave dhe sigurimeve shoqërore përbën pjesën më të madhe të fondeve të planifikuara, duke zënë 68% të totalit të buxhetit të rishikuar.

 

Në fund, Shehu u ndal te planifikimi për vitin e ardhshëm 2027, duke nënvizuar se megjithëse nevojat reale janë më të larta se buxheti i akorduar prej 2.3 miliardë lekësh, fondet mbeten të mjaftueshme për të garantuar përmbushjen e misionit të tyre ligjor.

 

Për vitin 2027, buxheti i institucionit është 2.3 miliardë lekë, ndërkohë që nevojat e rishikuara arrijnë në 2.5 miliardë lekë, që lidhet me shtimin e organikës. Megjithatë, kjo diferencë nuk përbën kërkesë shtesë për financim. Buxheti i vitit 2027 për SPAK parashikohet në përmbushje të prioriteteve strategjike, objektivave institucionale dhe misionit të tij në sundimin e ligjit, në funksion të rezultateve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, Vilma Çaushiolli, sqaroi se fondet e alokuara për SPAK do të jenë te disponueshme që në fillim të vitit. Ajo saktësoi se 25 pozicionet e reja të punës që kërkohet të shtohen, nuk janë pjesë e stafit gjyqësor, por janë personel administrativ mbështetës.

 

Këtë vit jemi munduar që të jemi të kujdesshëm në planifikimin e numrit të tyre, kemi pasur një diskutim me institucionin duke pasur parasysh që kanë vende vakante të konsiderueshme, por institucioni tha se këta punonjës janë punonjës administrativë mbështetës. Dhe kemi menduar që fondin përkatës ta alokojmë që në fillim të vitit 2027. Ndërkohë personeli i ri që kërkohet të shtohet nuk janë pjesë e stafit gjyqësor apo ndihmës ligjor apo të stafit të BKH-së, por janë punonjës administrativ mbështetës.

 

Në përmbyllje të diskutimit, kryetari i komisionit, Ulsi Manja, nënvizoi se Struktura e Posaçme ka pasur mbështetjen e nevojshme financiare nga ana e qeverisë për të përmbushur misionin e saj ligjor.

 

SPAK është mbështetur me buxhetin e nevojshëm për të bërë të mundur që të kryejë misionin e tij në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy