
Një grup studentësh, së bashku me të rinj, profesionistë nga fusha të ndryshme, pedagogë dhe përfaqësues të diasporës, kanë njoftuar ditën e sotme krijimin e një partie të re politike me emrin “Të Bashkuar për Shqipërinë”.
Në një deklaratë për mediat, studentja Lulzime Faria, e cila foli në emër të grupit nismëtar, bëri me dije se kjo forcë e re politike është e hapur për të gjithë qytetarët që besojnë se Shqipëria mund të qeveriset mbi bazën e drejtësisë, meritokracisë, përgjegjësisë dhe transparencës.
“Jemi këtu për të lajmëruar krijimin e partisë ‘Të Bashkuar për Shqipërinë’. Për 180 ditë kemi treguar se Shqipëria nuk është lodhur. Kjo parti do t’u ofrojë qytetarëve një rrugë kushtetuese për vendosjen e shtetit të së drejtës. Do të jemi me ju në qytete dhe fshatra, sepse duam të bashkojmë zërat dhe vullnetin e shqiptarëve. Ne nuk bëjmë premtime, ne vendosim standarde. Besimi nuk kërkohet, ai fitohet; shqiptarët meritojnë një politikë që u nënshtrohet të njëjtave standardeve”, deklaroi Faria.
Sipas përfaqësuesve të nismës, programi i partisë së re nuk do të hartohet pas dyerve të mbyllura, por përmes takimeve të drejtpërdrejta me qytetarët, duke u shoqëruar me objektiva të matshëm, kosto dhe afate konkrete.
Studentët bënë të ditur se tashmë ka nisur edhe procesi i mbledhjes së firmave për regjistrimin ligjor të subjektit politik.
Deklarata e plotë:
Ne, një grup studentësh, së bashku me të rinj, atdhetarë e profesionistë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe diaspora, deklarojmë themelimin e partisë “Të Bashkuar për Shqipërinë”.
E hapur për këdo që beson në drejtësi transparencë. Për 180 ditë, mijëra të rinj kanë treguar se Shqipëria nuk është lodhur, ajo është zgjuar dhe është e bashkuar. Partia do t’u ofrojë të rinjve një rrugë kushtetuese drejt vendosjes së shtetit të së drejtës.
Në javët në vijim do të jemi pranë jush në qytete dhe fshatra. Duam të bashkojmë zërat për të ndërtuar një alternativë të re, për t’i dhënë vendit drejtimin që meriton.
Shqiptarët meritojnë një politikë që u nënshtrohet të njëjtave standarde që u kërkohen qytetarëve.
Drejtues të zgjedhur me mandat të kufizuar, llogaridhënie publike, asnjë privilegj për themeluesit. Kjo parti s’do të bjerë pre e kultit të individit. Të gjithë të bashkuar për Shqipërinë.
Është nisur nga studentët. Ka pedagogë, ka individë që janë të aftë në fusha të ndryshme, që duan të kontribuojnë e që janë bërë pjesë e kësaj partie politike.
Kemi nisur me mbledhjen e firmave dhe do të jemi edhe në shesh.
Do t’ju bëjmë me dije emrat e individëve që përbëjnë partinë. Është një parti e nisur nga studentët, ku janë përfshirë edhe profesionistë.
