
Situata është tensionuar sërish mbrëmjen e sotme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë, ku Policia e Shtetit nuk po lejon vijimin e protestës së qytetarëve.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, protestuesit kanë tentuar të çajnë kordonin e sigurisë të vendosur nga uniformat blu, ndërsa efektivët kanë ndërhyrë menjëherë duke përdorur sprej lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Si pasojë e gazit lotsjellës, disa prej protestuesve kanë shfaqur shqetësime shëndetësore dhe vështirësi në frymëmarrje, duke kërkuar ndihmën e mjekëve dhe të qytetarëve të tjerë të pranishëm.
Pjesëmarrësit kundërshtojnë ndërhyrjen e forcave të rendit dhe këmbëngulin të vijojnë tubimin e tyre përpara Kryeministrisë.
Pas tensioneve, qytetarët marshuan në rrugët e kryeqytetit dhe më pas janë rikthyer sërish në bulevardin përpara godinës së qeverisë.
