Aleanca dhe investimet rreth projektit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës kanë hyrë në një valë të fortë përplasjesh ligjore dhe publike.
Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar ashpër, duke akuzuar Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) në Tiranë për regjistrim të paligjshëm të transferimit të kuotave të shoqërisë “Vlora International Airport” (VIA), duke shpërfillur masat siguruese të vendosura nga organet e drejtësisë.
Sipas Pacollit, kompania e tij MABCO Constructions SA ka depozituar tashmë një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për të zbardhur atë që ai e konsideron si një goditje korruptive ndaj sigurisë juridike të investimeve të huaja në Shqipëri.
Në reagimin e tij, biznesmeni ngre dyshime të forta mbi dy emra konkretë, Valon Ademin dhe Vegim Hoxhën, duke kërkuar nga drejtësia të hetojë nëse në këtë sipërmarrje kanë bashkëpunuar edhe zyrtarë të QKB-së apo institucioneve të tjera shtetërore.
Pacolli adresoi akuza të drejtpërdrejta për keqpërdorim të funksioneve publike dhe paralajmëroi se beteja ligjore do të përshkallëzohet që nga dita e hënë në rrugë institucionale.
NJË TJETËR GODITJE E RËNDË DHE E DENUESHME NDAJ SHTETIT TË SË DREJTËS NË SHQIPËRI
Me indinjatë të thellë konstatojmë se Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), në Tiranë, në kundërshtim me vendimet gjyqësore dhe pa asnjë bazë ligjore, ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në strukturën e kuotave të shoqërisë Vlora International Airport (VIA), duke regjistruar transferimin e kuotave për të cilat ekziston një masë siguruese gjyqësore e ekzekutuar, një vendim i përmbaruesit gjyqësor i rregjistruar në QKB , Vendimi i Gjykatës së lartë dhe në mungesën totale te çfardo miratimi tjetër ligjor që do të lejonte nje tranferim te tillë.
Ky është definitivishtë një akt i rëndë abuziv që cenon pronën private, shpërfill autoritetin e gjykatave dhe dëmton rëndë sigurinë juridike të investimeve në Shqipëri.
Këto manipulime, të cilat i konsiderojmë abuzive, të kundërligjshme dhe të dënueshme, dyshohet se janë orkestruar nga Valon Ademi dhe Vegim Hoxha, me përfshirjen ILEGALE te përfaqësuesve të QKB-së, duke i trajtuar institucionet shtetërore sikur të ishin pronë e tyre private. Duhet të zbardhet plotësisht nëse në këto veprime kanë qenë të përfshirë apo kanë dhënë ndihmën e tyre edhe përfaqësues të institucioneve të tjera.
Kush u jep të drejtën ketyre njerezve dhe funksionarëve shtetërorë të vendosin mbi ligjin dhe mbi vendimet e gjykatave, të veprojnë ilegalishtë e kunderligjeshem
e te lozin me imazhin dhe rendin kushtetues të Shqiperisë. Ketu duhen organet e shtetit të intervenojnë menjëhere!
Kush qëndron pas këtyre veprimeve dhe kujt i shërbejnë ato?
MABCO Constructions SA ka ndërmarrë tashmë të gjitha veprimet ligjore, përfshirë kallëzimin penal në SPAK ndaj autorëve të dyshuar për këtë veprim kriminal.
Të hënën do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm ligjorë kundër çdokujt që ka kryer ose ka mundësuar këtë regjistrim të paligjshëm dhe jo vetëm.
U bëj thirrje institucioneve të drejtësisë shqiptare të veprojnë menjëherë, të hetojnë përgjegjësit dhe të garantojnë respektimin e ligjit dhe të pronës private.
Kjo nuk është më vetëm çështje e MABCO-s apo e Aeroportit të Vlorës. Është çështje e funksionimit të shtetit ligjor, e besimit të investitorëve dhe e reputacionit ndërkombëtar të Shqipërisë.
Ne nuk do të heshtim dhe nuk do të tërhiqemi. Do të kërkojmë drejtësi në Shqipëri dhe në çdo instancë ndërkombëtare kompetente.
Askush nuk është mbi ligjin. Prona private dhe vendimet e gjykatave nuk mund të bëhen objekt pazari apo abuzimi administrativ.
Behgjet Pacolli



