SPAK shpalli moskompetencën për kallëzimin penal ndaj Ramës e Demos, reagon "Diaspora për Shqipërinë e Lirë"

SPAK shpalli moskompetencën për kallëzimin penal ndaj Ramës e Demos, reagon "Diaspora për Shqipërinë e Lirë"

Organizata "Diaspora për Shqipërinë e Lirë" (DPSHL) ka reaguar ashpër ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pasi kjo e fundit ka shpallur moskompetencën lidhur me kallëzimin penal të dorëzuar ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Brendshëm, Ervin Demo. 

 

Përmes një njoftimi zyrtar të bërë publik këtë të mërkurë, DPSHL e cilësoi vendimin e SPAK-ut të paarsyetuar, të nxitur dhe fyes për inteligjencën e qytetarëve.

 

Kallëzimi penal prej rreth 40 faqesh (i shoqëruar me materiale filmike dhe prova) u dorëzua pas rasteve të raportuara të dhunës, trajtimit poshtërues dhe privimit të lirisë ndaj protestuesve dhe të miturve gjatë tubimeve të fundit në vend. 

 

Sipas organizatës, SPAK ka kthyer një përgjigje prej vetëm 10 rreshtash, vetëm një ditë pas administrimit të padisë, pa kryer asnjë verifikim paraprak.

 

Përfaqësuesit e "Diaspora për Shqipërinë e Lirë" deklaruan se nuk do të tërhiqen dhe do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar këtë vendim. Organizata njoftoi se do të kërkojë kontroll gjyqësor të qëndrimit të SPAK-ut, duke depozituar një ankim zyrtar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë (GJKKO).

 

DEKLARATË PUBLIKE

Diaspora për Shqipërinë e Lirë (DPSHL)

SPAK NUK MUND TA MBYLLË DERËN E HETIMIT ME NJË SHKRESË TË PAARSYETUAR!

Tiranë, 28 tetor 2026

Lëvizja bën publike përgjigjen me vetëm 10 rrjeshta të SPAK-ut, ndaj kallëzimit penal (afro 40 faqe + 3 faqe me links për provat) të kryer disa ditë më parë ndaj Kryeministrit Rama dhe Ministrit të Brendshëm Ervin Demo.

DPSHL e kundërshton këtë qëndrim, të cilin e konsideron fyes për inteligjencën e çdo qytetari të thjeshtë, të pamjaftueshëm në arsyetim dhe seriozisht problematik në raport me detyrimet kushtetuese dhe procedurale.

PËRSE E KUNDËRSHTOJMË?

• Pa hetim të dokumentuar: Shkresa 10-rrjeshta e nisur 1 dite pas marrjes së padisë nuk pasqyron kryerjen e veprimeve konkrete verifikuese për faktet e kallëzuara.

• Pa arsyetim të mjaftueshëm: SPAK nuk shpjegon konkretisht përse përjashtohet kompetenca e tij për subjektet dhe veprat e pretenduara.

• Pa shqyrtim të individualizuar të provave: Nuk rezulton asnjë vlerësim i argumentuar i materialeve filmike dhe burimeve të paraqitura.

• Pa verifikim të përgjegjësisë së mundshme të drejtuesve: Nuk shpjegohet si është vlerësuar mos-përfshirja e mundshme e funksionarëve të lartë, përfshirë Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm dhe drejtuesit e Policisë.

• Pa përgjigje për pretendimet e rënda: Rastet e raportuara të dhunës, trajtimit poshtërues, privimit të lirisë dhe përfshirjes së të miturve kërkojnë hetim efektiv, të pavarur dhe të paanshëm.

Si mund të përjashtohet përgjegjësia e mundshme penale e funksionarëve të lartë pa kryer hetime, pa verifikuar më parë urdhrat, komunikimet dhe zinxhirin e komandimit, dhe pa arsyetuar?

Kushtetuta, Kodi i Procedurës Penale dhe neni 3 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut kërkojnë respektimin e garancive procedurale dhe hetimin efektiv të pretendimeve të argumentueshme për keqtrajtim nga autoritetet shtetërore.

DPSHL NUK DO TË TËRHIQET!

DPSHL do të kërkojë kontrollin gjyqësor të qëndrimit të SPAK-ut, përfshirë ankimin në Gjykatën e Posaçme, në përputhje me mjetet procedurale që lejon ligji.

Kërkojmë që organet kompetente të sigurojnë menjëherë provat, të hetojnë çdo pretendim dhe të përcaktojnë përgjegjësinë individuale të kujtdo që rezulton i përfshirë.

DREJTËSIA NUK MUND TË NDALET ATY KU FILLON PUSHTETI!

Ligji duhet të mbrojë qytetarin nga abuzimi me pushtetin, jo pushtetin nga përgjegjësia për abuzimin.

DIASPORA PËR SHQIPËRINË E LIRË (DPSHL)

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy