Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka goditur dy raste të evazionit fiskal dhe kontrabandës me mallra në kufirin me Greqinë, pas një hetimi të thelluar të kryer në bashkëpunim me autoritetet doganore greke.
Përmes skemave të falsifikimit dhe nënvlerësimit drastik të mallrave, subjektet importuese synonin t'i shmangeshin detyrimeve ndaj buxhetit të shtetit. Nga krahasimi i dokumentacionit dypalësh, strukturat hetimore zbuluan dy shkelje të rënda.
Rasti i parë ishin dokumentet e tranzitit dhe faturat e dërguara nga autoritetet greke kishin ndryshime rrënjësore në vlerat financiare dhe të dhënat e marrësve në krahasim me ato që u paraqitën në doganën shqiptare.
Kurse rasti i 2 ishte një subjekt i cili deklaroi mallra me vlerë vetëm 46,639 euro, ndërkohë që nga verifikimi zyrtar rezultoi se vlera reale e tyre ishte 237,615 euro. Përmes këtij mashtrimi, borxhi doganor i krijuar ndaj shtetit llogaritet në 22.5 milionë lekë.
Pas finalizimit të hetimeve, Drejtoria e Hetimit Doganor ka referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Procedimi penal ka nisur ndaj administratorëve të subjekteve importuese, të cilët akuzohen për veprat penale “Kontrabandë me mallra të tjera” dhe “Falsifikim i dokumenteve zyrtare”. Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet po vijojnë paralelisht edhe për raste të tjera të dyshimta në kufi.



