Mbikëqyrësi i mbrojtjes së të dhënave në Irlandë, duke vepruar në emër të BE-së, njoftoi sot vendimin për të gjobitur Google me 403 milionë euro (462 milionë dollarë) për përdorim të pahijshëm të të dhënave të vendndodhjes së përdoruesve, tetë vjet pasi grupet e konsumatorëve paraqitën ankesën.
Gjoba është e katërta më e madhe e vendosur nga Komisioni i Mbrojtjes së të Dhënave, tha rregullatori në një deklaratë.
DPC është përgjegjëse për mbikëqyrjen e Google në nivel evropian sepse, ashtu si shumica e gjigantëve të teknologjisë, kompania ka selinë e saj evropiane në Irlandë.
Google shkeli Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të BE-së midis majit 2018 dhe shkurtit 2020, tha DPC.
Në vendimin e saj përfundimtar pas hapjes së një hetimi në shkurt 2020, mbikëqyrësi vendosi që Google shkeli GDPR "në lidhje me ligjshmërinë dhe drejtësinë e përpunimit të të dhënave të vendndodhjes në aktivitetin e uebit dhe aplikacioneve dhe historikun e vendndodhjes".
Zëvendëskomisioneri i DPC, Graham Doyle, tha "si rezultat i dështimeve të Google... individët mund të mos kenë qenë në dijeni se vendndodhja e tyre po përdorej, për shembull, për t'i ndikuar ata me reklama ose për të nxjerrë përfundime për interesat e tyre".
Ai shtoi se "ruajtja e të dhënave të vendndodhjes së përdoruesve për më gjatë seç ishte e nevojshme e përkeqësoi këtë humbje kontrolli".
Krahas gjobës, rregullatori tha se i kishte urdhëruar Google të përmbushte GDPR-në e Bashkimit Evropian brenda gjashtë muajve.
Në përgjigje, Google tha se "çështja përqendrohet rreth politikave historike që janë përditësuar që atëherë".
"Nga viti 2019 e tutje, ne kemi zhvilluar ndjeshëm praktikat tona dhe kemi lançuar mjete të fuqishme që e bëjnë menaxhimin e të dhënave të vendndodhjes të thjeshtë", shtoi kompania në një deklaratë.
Në nëntor të vitit 2018, DPC-ja mori ankesa të koordinuara nga organizata evropiane të konsumatorëve në Republikën Çeke, Danimarkë, Greqi, Holandë, Norvegji, Poloni, Slloveni dhe Suedi.
Organizata Evropiane e Konsumatorëve (BEUC) e cilësoi vendimin njw lajm tw mirw.
"Vendimi është një lajm i mirë për konsumatorët, pasi e bën Google përgjegjëse dhe konfirmon paligjshmërinë e mënyrës se si gjiganti teknologjik merrte pëlqimin për të përdorur të dhënat e vendndodhjes së njerëzve", tha në një deklaratë drejtori i përgjithshëm i BEUC-it, Agustin Reyna.
"Megjithatë, koha e nevojshme për të arritur në këtë përfundim është joproporcionale me seriozitetin e shkeljes. Zbatimi me vonesë mund të jetë po aq i dëmshëm sa mungesa e plotë e zbatimit. Të drejtat themelore të konsumatorëve duhet të mbrohen më shpejt dhe më mirë," shtoi ai.
BEUC-i i përshkroi të dhënat e gjeolokacionit si "një nga format më ndërhyrëse të mbikëqyrjes komerciale, sepse ato zbulojnë lloje të ndryshme informacionesh të ndjeshme rreth nesh, siç janë bindjet fetare, gjendja shëndetësore, opinionet politike apo orientimi seksual".
Google është subjekt i tri hetimeve të tjera nga DPC-ja – të gjitha në "fazë të avancuar" – sipas rregullatorit.
Këtu përfshihen procedurat e hapura në shtator të vitit 2024 për të përcaktuar nëse kompania mban përgjegjësi për dështimin në kryerjen e një vlerësimi të ndikimit lidhur me përdorimin e të dhënave personale të evropianëve për trajnimin e inteligjencës artificiale të Google.
Gjoba më e madhe e vendosur nga DPC-ja iu dha kompanisë Meta (pronare e Facebook) në vitin 2023 – 1.2 miliardë euro për transferimin e të dhënave në Shtetet e Bashkuara.
/ France 24 /



