Kriza e Ebolës në Kongo/ Zhduken qindra miliona dollarë fonde, stafi pa paga dhe furnizime ndërsa virusi përhapet

Kriza e Ebolës në Kongo/ Zhduken qindra miliona dollarë fonde, stafi pa paga dhe furnizime ndërsa virusi përhapet

Qindra miliona dollarë të destinuara për të luftuar shpërthimin e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos nuk po arrijnë te marrësit e synuar, ka paralajmëruar organizata bamirëse mjekësore “Mjekët pa Kufij” (MSF).

 

Në një raport të publikuar së fundmi, sipas BBC-së, MSF thekson se ndërsa shpërthimi mbetet “jashtë kontrollit”, punonjësit shëndetësorë të vijës së parë nuk po paguhen, u mungon trajnimi i duhur dhe po përballen me mungesa të mëdha të furnizimeve thelbësore, deri aty sa në disa raste ambulancave u ka mbaruar karburanti.

 

Që nga shpallja e epidemisë në muajin maj, më shumë se 5,400 persona kanë humbur jetën dhe 11,000 të tjerë janë infektuar me Ebola në Republikën Demokratike të Kongos, duke e bërë këtë shpërthimin e dytë më vdekjeprurës të regjistruar ndonjëherë.

 

“Pavarësisht shumave të mëdha të parave të dhëna për reagimin, shumë punonjës të vijës së parë po përpiqen të përmbajnë shpërthimin me duar dhe xhepa bosh”, thuhet në raportin e MSF-së, ku kritikohen gjithashtu ekipet e mbikëqyrjes që ekzistojnë vetëm në letër, por nuk shihen askund në terren.

 

Presidenti i organizatës, Javid Abdelmoneim, e cilësoi situatën si plotësisht të papranueshme gjashtë muaj pas nisjes së reagimit emergjent. MSF u ka bërë thirrje qeverisë kongoleze dhe agjencive të OKB-së që të forcojnë mbikëqyrjen dhe llogaridhënien, në mënyrë që fondet të drejtohen drejt zonave ku nevojat janë më të mëdha.

 

Paralajmërimi i MSF-së vjen pas shqetësimeve të ngritura muajin e kaluar nga Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), të cilat bënë të ditur se rreth 700 milionë dollarë (nga 962 milionë dollarë të shpërndara në total për organizatat zbatuese) nuk ishin të llogaritura. 

 

Kreu i Africa CDC, Jean Kaseya, e përshkroi këtë si një dështim të madh në transparencë dhe raportim financiar.

 

Edhe ministri i Shëndetësisë i Kongos, Samuel-Roger Kamba, reagoi në platformën “X”, duke konfirmuar se vetëm 22% e agjencive të ndihmës kanë raportuar detajet e punës së tyre pranë ministrisë, duke kërkuar transparencë totale, një plan të vetëm dhe një buxhet të koordinuar.

 

Epiqendra e shpërthimit ndodhet në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, një rajon i shkatërruar prej dekadash nga konfliktet, ku disa zona kontrollohen nga rebelët dhe infrastruktura rrugore është e shkatërruar. 

 

Përveç virusit, OKB-ja dhe qeveria paralajmëruan se zonat e prekura po përballen me një krizë të rëndë ushqimore, me rreth 10 milionë banorë në nevojë urgjente.

 

Shpërthimi aktual, i shkaktuar nga specia e rrallë Bundibugyo e virusit, për të cilën ende nuk ka një vaksinë apo trajtim të miratuar, është përhapur edhe përtej kufijve të Kongos, me raste të raportuara në Kenia, Ugandë dhe Nigeri. 

 

Megjithatë, autoritetet në Kenia njoftuan se pacienti i fundit i infektuar doli nga spitali të mërkurën, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt frenimit të virusit në këtë vend.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy