
Adea Pirdeni është betuar zyrtarisht para Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, si ministre e Administratës Publike, duke marrë kështu drejtimin e ministrisë së re me portofol në kabinetin qeveritar.
Ky hap vjen fill pas seancës plenare ku Kuvendi miratoi projektvendimin për emërimin e saj me 76 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Kalimi në detyrën e re u pasua nga firmosja e dy dekreteve nga Presidenti Bajram Begaj, të cilat hynë në fuqi menjëherë pas votimit në Parlament.
Me krijimin e këtij dikasteri të ri, Pirdeni merr një portofol të zgjeruar ekzekutiv të fokusuar te reforma administrative, duke shkëputur çështjet e antikorrupsionit që mbulonte më parë.
Sipas deklaratave të mëparshme të Kryeministrit, zgjerimi i kësaj ministrie u bë me qëllim modernizimin e shtetit dhe përmbushjen e detyrimeve në kuadër të negociatave intensive për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Pirdeni ka mbajtur më herët postin e ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.



