Një operacion i koordinuar mes Interpolit të Tiranës dhe Athinës ka çuar në arrestimin provizor në Greqi të dy personave të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare për një vrasje të ndodhur në Sarandë.
Bëhet fjalë për shtetasit Lulëzim Tabaku dhe Idriz Çelo, të cilët akuzohen për ngjarjen e 7 majit 2026 në fshatin Gjashtë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri brenda në biznesin e tij 66-vjeçari Rexhep Ismaili.
Sipas policisë, vrasjes i ka paraprirë një sherr masiv me sende të forta ku ka qenë i pranishëm Idriz Çelo, i cili u kap në Korfuz me dokumente false. Menjëherë pas sherrit, Lulëzim Tabaku ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka ekzekutuar pronarin e lokalit.
Ndaj Idriz Çelos rëndojnë akuzat "Moskallëzim i krimit", "Kanosja" dhe "Shkatërrimi i pronës". Ndërsa ndaj autorit të dyshuar të vrasjes, Lulëzim Tabaku, rëndojnë veprat penale "Vrasja me dashje", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" dhe "Kanosja", të kryera në bashkëpunim.
Tashmë palët po bashkëpunojnë për ekstradimin e shpejtë të tyre drejt Shqipërisë për t'u ballafaquar me drejtësinë.



