Një punonjëse në një institut kundër murtajës në rajonin e Irkutskut në Siberi, e cila humbi jetën pas zërave për përhapjen e “vdekjes së zezë”, u diagnostikua me pneumoni me origjinë të panjohur.
Kjo bëri që banorët e rajonit Irkutsk, në Rusi, të shqetësohen nga zërat për një shpërthim të mundshëm të murtajës pneumonike në këtë zonë siberiane.
Zërat filluan të përhapeshin me shpejtësi pas vdekjes së një punonjëseje të Institutit Kërkimor Kundër Murtajës në Irkutsk.
Darya Shipilova vdiq në orët e para të 2 tetorit në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit të rrethit në qytetin Shelekhov. Sipas mediave lokale, ajo theu një epruvetë që përmbante patogjenin e murtajës.
Incidenti i shtyu autoritetet të vendosnin masa karantine të stilit të Covid-19, ku rreth 200 persona janë vendosur nën mbikëqyrje të rreptë mjekësore.
Ndërkohë disa spitale në Irkutsk u mbyllën menjëherë dhe u vendosën në karantinë, për tre javët e fundit.
Të shtunën, maskat u bënë të detyrueshme si masë parandaluese në uzinën e aluminit në Irkutsk në Shelekhov.
Viktima, një asistente laboratori 28-vjeçare, ishte e specializuar në kërkimin mbi patogjenët e rrezikshëm.
Sipas rrëfimit kryesor të raportuar nga kolegët e saj dhe media e pavarur, më 25 shtator, ndërsa punonte me material biologjik të gjallë në laborator, ajo aksidentalisht theu një provëz që përmbante bakterin e rrezikshëm Yersinia pestis.
Dy ditë më vonë, gjendja e Shipilovës u përkeqësua papritur. Ajo u dërgua me urgjencë në spitalin e distriktit Shelekhov. Në fillim, mjekët, duke mos pasur dijeni për atë që kishte ndodhur, dyshuan për një rast të rëndë të koronavirusit dhe e shtruan në një njësi të specializuar për Covid.
Megjithatë, përkeqësimi i shpejtë dhe pamja klinike i detyruan ata të kryenin teste të shpejta për infeksione shumë të rrezikshme. Pacientja u vu në ventilator, por jeta e saj nuk mundi të shpëtohej.
Forma pulmonare e murtajës zhvillohet jashtëzakonisht shpejt dhe pa trajtim të shpejtë dhe të synuar me antibiotikë, është pothuajse gjithmonë fatale.
Gjatë 24 orëve të para, autoritetet në rajonin e Irkutskut dhe Guvernatori Igor Kobzev shmangën përdorimin e fjalës murtajë.
Më 2 tetor Kobzev foli për një infeksion mjaft të rrezikshëm dhe tha se “situata është nën kontroll të rreptë”.
Të nesërmen autoritetet në Baikalsk i nxitën banorët të mos udhëtonin për në Shelekhov për shkak të murtajës, por e fshinë postimin disa orë më vonë.



