
Vëmendja e rajonit dhe e Bashkimit Evropian është përqendruar këtë të premte në Tiranë, ku liderët e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në ambientet e Pallatit të Brigadave për të diskutuar mbi reformat, zhvillimin ekonomik dhe përshpejtimin e integrimit evropian.
Samiti zhvillohet në një moment kyç për procesin e zgjerimit të BE-së dhe zbatimin e Planit të Rritjes, nën moton “Reforma, Rritje, Integrim-Drejt Evropës së bashku”, me pjesëmarrjen e krerëve të vendeve të rajonit dhe Komisioneres Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë takim si një moment vendimtar si për Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe për vetë Evropën, duke vënë theksin te integrimi gradual dhe përfitimet e drejtpërdrejta që qytetarët duhet të ndiejnë që tani në tregun e përbashkët.
Mblidhemi këtu për Planin e Rritjes, në një takim që vlen për të vlerësuar progresin dhe për të parë sfidat që kemi përpara.
Nuk ka dyshim se ky është një moment vendimtar për Ballkanin Perëndimor dhe është një moment tejet vendimtar edhe për Evropën.
Ne kemi qenë entuziastë për nisjen e këtij procesi të ri, që vuri në lëvizje qasjen e integrimit gradual dhe që na mbledh bashkë në tri dimensione: reformat, konvergjenca ekonomike dhe kohezioni rajonal.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se vitet e fundit konvergjenca mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së është rritur, por pranoi se ka ende shumë rrugë për të bërë, ndaj kërkoi një diskutim të hapur për të vendosur objektivat e vitit të ardhshëm.
Ne të gjithë kemi mbrojtur idenë se qytetarët tanë nuk duhet të presin për të korrur përfitimet e integrimit në tregun e përbashkët. Qytetarët tanë duhet të gëzojnë që tani, gradualisht, të drejtat që gëzojnë qytetarët e BE-së.
Jemi të vetëdijshëm se asgjë nuk është e mirëqenë dhe se BE-ja është po aq e prirur të na ndihmojë, sa ç’është e prirur të na bjerë me çekiç kokës që të japim rezultate dhe të bëjmë reforma.
Është një marrëdhënie ku progresi sjell më shumë pjesëmarrje dhe gatishmëria sjell më shumë mundësi. Jemi këtu të flasim hapur dhe të vendosim stekën për vitin e ardhshëm.
