
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim të fortë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku është fokusuar te ndikimi i inteligjencës artificiale (IA) dhe algoritmeve në nxitjen e protestave në Tiranë.
Rama deklaroi se përmes dezinformimit digjital dhe manipulimit sistematik u fabrikua një narrativë e rreme që mobilizoi qytetarët në rrugë.
Rama iu referua protestave disamujore në Tiranë, duke thënë se ato u nxitën nga një narrativë e fabrikuar mbi një "pushtim të pretenduar izraelit të bregdetit shqiptar".
Sipas tij, kjo histori e rreme e tradhtisë kombëtare dhe provokimit fetar u shpërnda përmes algoritmeve për të shndërruar frikën në zemërim dhe mobilizim.
Kryeministri pranoi se qytetarët kishin arsyet e tyre reale për të protestuar, por për shkak të mashtrimit sistematik në rrjete, ata përfunduan duke protestuar kundër një fantazme dhe pretendimeve që nuk kanë ndodhur kurrë në realitet.
Keni ndjekur ose keni mësuar për Revolucionin Flamingo, narrativë të trilluar të një pushtimi izraelit të bregdetit shqiptar, pushtim që nuk ndodhi kurrë, u fabrikua dhe u përcoll përmes kanaleve që qytetarët u besonin tashmë.
Qytetarët kanë arsye të protestonin, por protestuan edhe kundër një armiku fantazmë. Frika u shndërrua në zemëratë, kjo në mobilizim dhe trillimi në realitet politik.
Nuk ishte eksperiment politik. Algoritmi nuk shpiku dhe ndezi urrejtjen, por zbuloi se si të aktivizonte urrejtjen tonë.
Fabrikime të ndryshme u futën në botë të ndryshme emocionale dhe të gjitha i shërbenin gënjeshtrës strategjike. Pasojat ishin reale.
Qytetarët kishin arsyet për të protestuar, por ata papritur ishin duke protestuar kundër një fantazme tashmë. Frika u bë zemërim, zemërimi u bë mobilizim dhe fabrikimi u bë realitet.
Ne jemi një komb që po e jetojmë të ardhmen, të cilën shumë po e debatojnë. Unë kam një mesazh të thjeshtë dhe këtë ua detyrohemi të gjithë juve: rreziku më i madh nuk është se IA do të ndalojë njerëzimin, por rreziku është që mund të bindë njerëzit e gabuar.
Ai paralajmëroi liderët botërorë se ndërhyrja në proceset demokratike nuk kërkon më propagandë në mediat tradicionale. Tashmë, përmes aktorëve njerëzorë dhe algoritmeve, mund të ndikohet në mënyrë të shënjestruar te vullneti i çdo votuesi.
Rama u shpreh se ka gjetur një interes të madh te bashkëbiseduesit ndërkombëtarë për mënyrën se si Shqipëria po e aplikon inteligjencën artificiale.
Ai nënvizoi se Shqipëria nuk është zhvillues i këtyre teknologjive, por është një komb që tashmë "e ka jetuar të ardhmen për të cilën të tjerët ende po debatojnë".
Shqipëria u bë vendi i parë që solli ministren e parë me IA, Diellën. E bëmë për t’i bërë procedurat më transparente dhe shtetin më llogaridhënës. Asnjë algoritëm nuk mban mandat. Pas çdo vendimi me ndikim publik duhet të mbetet një mandat ligjor.
Ja pse Shqipëria po ndërton një pasqyrë digjitale mbështetur mbi IA. Pasqyra do të zbulojë strukturat e koordinuara, jo vetëm ato që shihen. Nuk do t’u thotë qytetarëve çfarë duhet të mendojnë.
E drejta duhet të mbrohet haptazi. Pasqyra jonë ka për synim të shndërrohet në një infrastrukturë transparence, të mbrojë shoqërinë nga një industri gënjeshtrash.
Qytetarët duhet të dinë kur përmbajtja politike me ndikim është gjeneruar artificialisht apo manipuluar. Arkitektura e shpërndarjes duhet të bëhet transparente, kush e krijoi apo shënjestroi.
Sovraniteti dixhital s’mund të jetë privilegj i rezervuar për shtetet më të pasura. Gënjeshtrat udhëtojnë pa viza. Algoritmet i kapërcejnë kufijtë pa pasur nevojë për pasaportë.
Në përfundim të fjalimit, kryeministri shqiptar bëri thirrje për krijimin e një “Marrëveshje Ndërkombëtare për Inteligjencë Artificiale Sovrane dhe Demokratike”, një pakt ndërkombëtar për inteligjencën artificiale sovrane dhe demokratike.



