Teknologjia e avancuar zbulon një tjetër viktimë të Ted Bundy-t në Utah

Teknologjia e avancuar zbulon një tjetër viktimë të Ted Bundy-t në Utah

Autoritetet njoftuan të martën se analizat e ADN-së kanë lidhur vrasësin serial Ted Bundy me vrasjen e një adoleshenteje nga Utah, më shumë se 50 vjet pasi trupi i saj u gjet nga një gjuetar.

 

Bundy ka vdekur që prej vitit 1989, por numri i viktimave të tij të konfirmuara vijon të rritet falë përparimeve në teknologjinë e analizave të ADN-së. Ai vrau të paktën 30 gra dhe vajza në disa shtete amerikane gjatë viteve 1970, ndërsa shumë të tjera arritën të shpëtonin ose mbijetuan me plagë.

 

Hetuesit janë të bindur se Bundy ishte përgjegjës për vrasjen e 17-vjeçares Melissa Ann Smith në vitin 1974. Çështja e saj ishte konsideruar prej kohësh e pazbardhur, deklaroi prokurorja e Qarkut Summit, Margaret Olson, gjatë një konference për shtyp.

 

“Përveç provave të ADN-së, vrasja e Smith kishte edhe karakteristika që përputhen me modelin e veprimit, motivin, mjetet dhe mundësitë e Bundy-t”, tha Olson.

 

Hetuesit arritën të zbardhnin rastin pas zbulimit të lidhjeve të rëndësishme të ADN-së mes Smith dhe Laura Aime, një tjetër viktimë e Bundy-t, çështja e së cilës u zgjidh prillin e kaluar në Qarkun e Utah-ut. 

 

Një profil ADN-je shumë i ngjashëm me atë që lidhet me Bundy-n u zbulua në provat e mbledhura gjatë autopsisë së Smith, tha rreshteri i Qarkut të Utah-ut, Mike Reynolds.

 

“Ky rast tregon rëndësinë e ruajtjes së provave”, deklaroi sherifja e Qarkut Salt Lake, Rosie Rivera.

 

Autoritetet kanë qenë në kontakt me familjarët më të afërt të Smith, të cilët nuk jetojnë më në atë zonë.

 

“Me çdo çështje që mbyllim, le ta lëmë pas kujtimin e Ted Bundy-t”, tha Reynolds.

 

Bundy u ekzekutua në vitin 1989 në karrigen elektrike në Florida, pasi u dënua për vrasjen e dy grave në vitin 1978, në konviktin e studenteve të shoqatës Chi Omega, në Universitetin Shtetëror të Floridës.

 

Në ditët e fundit të jetës, ai bëri një sërë rrëfimesh, duke zbuluar edhe krime që deri atëherë nuk njiheshin nga policia. Megjithatë, jo të gjitha këto raste janë konfirmuar.

 

Përveç Floridës dhe Utah-ut, autoritetet kanë deklaruar se Bundy kishte vrarë edhe në Kolorado, Idaho dhe në shtetin e Uashingtonit. Hetuesit po punojnë gjithashtu për të zbardhur vdekjen e 16-vjeçares Nancy Wilcox, e cila dyshohet se është një tjetër viktimë e tij në Utah.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy