Shqipëria në protestë, studentët kërkojnë zgjidhje politike (VIDEO)

Shqipëria në protestë, studentët kërkojnë zgjidhje politike (VIDEO)

Shqipëria gjatë javës së fundit është përfshirë nga një valë protestash masive që kanë paralizuar plotësisht jetën sociale dhe ekonomike të Tiranës dhe qyteteve kryesore në vend. 

 

Studentet dhe gjimnazistët i kanë dhënë një qasje tjetër protestave të cilat në Tiranë vazhdojnë që prej 31 majit, duke i bërë ato të dhunshme dhe që ngjajnë shumë me mosbindjen civile.

 

Ajo që nisi me kërkesa për cilësinë e arsimit të lartë dhe kushtet në konvikteve është shndërruar tashmë në një lëvizje thellësisht politike, ku kërkesa kryesore është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

 

Për këtë kuptuar si arriti vendi në këtë situatë duhet kthehemi disa muaj më parë. 

 

FILLESA, REVOLUCIONI PAQËSOR I FLAMINGOVE

 

Më 23 maj të këtij viti, heshtja e Zvërnecit u thye nga një protestë e komunitetit lokal dhe organizatave mjedisore. Në fokus ishte projekti i një resorti luksoz që parashikohej të ndërtohej mbi atë zonë. Banorët kërkonin tokën, sipas tyre e tjetërsuar me dokumente të falsifikuara , ndërsa mjedisorët ngritën zërin për mbrojtjen e një prej ekosistemeve më të brishta në vend.

 

Në fillim, protestuesit ishin të paktë, zëri i tyre vështirë të dëgjohej në Tiranë apo përtej saj, por vetëm një javë më pas, gjithçka ndryshoi për shkak të ngjarjes së 30 majit në Zvërnec. 

 

E gjithë hapësira ku parashikohej investimi gjigant prej 4 miliardë dollarësh u rrethua me tela me gjemba, duke penguar kalimin e qytetarëve në pronat e tyre. Buldozerët dhe makineritë e rënda pushtuan zonën e mbrojtur, dunat e rërës u rrafshuan, rrugë të reja u hapën me mjete të rënda dhe pylli me pisha nisi të shkatërrohej.

 

Si të mos mjaftonte kjo, të shtunën e 30 majit policia private që ruante kantierin e ndërtimit tërheq zvarrë një protestues dhe e rrëmben. Policia e Shtetit e pranishme në vendngjarje nuk reagon. 

 

Pamjet e qytetarit që tërhiqej zvarrë pushtuan rrjetet sociale dhe ndezën një valë të madhe reagimi. Kjo revoltë e cila fillimisht nisi virtualisht zbriti në shesh të nesërmen. 

 

Në bulevardin Dëshmorët e Kombit, përpara Kryeministrisë në Tiranë u thirr një protestë qytetare për të dënuar me forcë mosreagimin e Policisë së Shtetit ndaj dhunës shtazarake në Zvërnec.

 

Më pas kërkesat u zgjeruan, u kërkua anulimi i menjëhershëm i projektit të resortit , ku mes investitorëve figuron edhe Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump. Po ashtu, u kërkua shfuqizimi i ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura që i hapën rrugë këtij ndërtimi, si dhe transparencë e plotë për vendimet që cenojnë drejtpërdrejt jetën e komuniteteve lokale.

 

Me thirrjet e përditshme “nesër edhe më shumë”, grumbullimi përpara godinës së qeverisë dhe marshimi për disa orë në qytet u kthye në një ritual për një pjesë të mirë të qytetarëve të Tiranës. 

 

Ndërsa ditët kalonin, lëvizja nisi të artikuloj edhe kërkesa politike. Pankaratet mjedisore dhe memet u zëvendësuan nga kërkesa e drejtpërdrejtë, dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij.

 

Korrupsioni galopant, keqqeverisja dhe mungesa e transparencës u kthyen në akuzat kryesore te protestuesve për Edi Ramën , të cilët e bënin përgjegjës drejtpërdrejt për gjendjen ekonomike dhe sociale ku ndodhet vendi.

 

Ndërsa protesta rritej nga dita në ditë, reagimi i kryeministrit edi Rama fillimish ishte tallja dhe ironia. Rama filloi të thumbojë protestuesit dhe të quajë lëvizjen një “revoltë influencrësh” në rrjetet sociale.

 

Kjo dalje e kryeministrit mban datën 7 qershor një ditë me pjesëmarrje të lartë në protestë, por që ende nuk shënonte kulmin. Piku i pjesëmarrjes në bulevard do të shënohej më 20 qershor, në atë që u pagëzua si protesta më masive e “Revolucionit të Flamingove” emër i huazuar nga shpendët shtegtarë të lagunës së Nartës, zonë ku projektohet të ndërtohet resorti. Dhjetëra mijëra qytetarë mbushën bulevardin, me një kërkesë të vetme e të prerë, dorëheqjen e Edi Ramës.

 

Përgjatë gjithë muajit qershor, mazhoranca zgjodhi narrativën e konspiracionit. Rama dhe krerët kryesorë të saj akuzuan protestën si një lëvizje të orkestruar nga agjentura të huaja duke filluar nga vendet fqinj si Greqia e Serbia, e deri te elementë rusë apo interesa iraniane, këta të fundit ndërkohë luftonin me SHBA-në dhe Izraelin.

 

Pavarësisht kësaj, qytetarët rezistuan për 135 ditë me radhë. Ata marshuan paqësisht në bulevard, pa thyer asnjë xham, pa prekur asnjë institucion dhe pa dëmtuar asnjë pronë private . Një proteste model që tërhoqi vëmendjen e mediave më prestigjioze ndërkombëtare ku njëri pas tjterin në Tiranë raportuan CNN, BBC, Reuters dhe media nga të gjitha vendet europiane. 

 

Me kalimin e muajve, ritmi i “Flamingove” nisi të zbehej, duke humbur terren në debatin publik e politik dhe u duk sikur edhe këtë radhë poltika arriti të shuajë një protestë, pa arritur objektivat e saj.

 

MUNGESA E REAGIMIT DHE SHPËRTHIMI I DHUNSHËM

 

Protestës së flamingove gjatë muajve që ajo u zhvillua i mungonte një faktor shumë i rëndësishëm: studentët. Në qershor, me përfundimin e vitit akademik, një pjesë e madhe e të rinjve ishin larguar nga Tirana drejt qyteteve të tyre të origjinës.

 

Rikthimi i tyre në auditore në tetor i dha protestës një formë tërësisht tjetër. Më 13 tetor, në orën 14:00, studentët e Tiranës thirrën një protestë përpara Ministrisë së Arsimit me kërkesa që kishin të bënin me cilësinë e arsimit të lartë, buxhetin dhe përmirësimin e konvikteve.

 

Por situata precipitoi shumë shpjet, që në minutat e para, drejt godinës së ministrisë u hodhën vezë, tullumbace me ujë dhe kapsolla. Fasada e institucionit u mbulua me bojë të kuqe dhe grafite në formë revolte mbi vendimmarrjet e institucionit në raport më arsimin e lartë.

 

Situata doli nga kontrolli kur një grup protestuesish shkulën kangjellat mbrojtëse dhe pllakat e trotuarit, duke i përdorur si mjete goditje ndaj ndërtesës dhe efektivëve të policisë. Xhamat e ministrisë u bënë thyen , ndërsa u tentua që të hyrja në ambientet e brendshme.

 

Rreth një orë pas nisjes së trazirave, policia ndërhyri dhunshëm. Autobotët me ujë me presion, gazi lotsjellës dhe shkopinjtë e gomës u përdorën në masë, ndërsa ndërhyrja u shoqërua me përplasje trup me trup dhe arrestime me forcë.

 

Më pas, fushëbeteja mes studentëve dhe policisë u zhvendos përgjatë Rrugës së Durrësit. Protestuesit dëmtuan biznese, kosha mbeturinash dhe materiale reklamash. 

 

Rreth orës 20:00, policia goditi sërish me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën. Një pjesë e madhe e protestuesve u zhvendos drejt Bashkisë së Tiranës, ata goditën hyrjen me gurë, thyen derën kryesore, hynë në katin e parë dhe ndezën zjarr brenda ambjenteve të këtij institucioni.

 

Bilanci i ditës së parë qe i rëndë, 23 protestues të shoqëruar, ndërsa në spital përfunduan 6 efektivë policie, 4 protestues dhe 2 punonjës medias. Tirana po përjetonte një skenar të paparë më parë ku përplasja mes studentëve dhe policisë kishte bllokuar të gjithë qendrën e kryeqytetit, duke prekur institucionet dhe bizneset private. Simbol i saj ishte përplasja e Klevi Metaj, të riut që u përplas me 6 efektivë të policisë i vetëm dhe më pas përfundoi i lidhur pas kangjellave.

 

Avokati Ledio Braho solli në vëmendje një vendim të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për një rast të ngjashëm në Rumani, ku një veprim i tillë u cilësua si cenim i dinjitetit njerëzor.

 

“Mënyra se si ankuesi u prangos pas një druri në oborrin e stacionit të policisë, i dukshëm për publikun, ngjall ndjenja ankthi dhe inferioriteti që e poshtërojnë atë përtej kufijve të arsyeshëm. Prania e mediave e shton edhe më shumë këtë ndjenjë poshtërimi.”— Gjykata Evropiane e Të Drejtave të Njeriut

 

Të nesërmen, më 14 tetor, protesta ishte njoftuar në orën 14:00 po përpara Ministrisë së Arsimit si insitucioni simbol për tu sulmuar për shkak të politikave të gabuara në arsimin e lartë. 

 

Dita nisi me lajmin se edhe gjimnazistët e Tiranës kishin braktisur mësimin për t'iu bashkuar studentëve. Protesta filloi më shpejt dhe zuri policinë në befasi, e cila e pati të pamundur për të ndalur flakën që ata i vunë ministrisë së Arsimit. 

 

Protestuesit kërkonin gjithnjë e më fort dorëheqjen e Kryeministrit si përgjegjës për krizën ekonomike të familjeve të tyre.

 

Protesta u zhvendos te godina e Kryeministrisë, e cila u kthye në qendër të sulmeve për disa orë të tëra. Ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës, ujë me presion dhe shkopinj gome për të mbrojtur godinën kryesore të pushtetit në Shqipëri.

 

Ditët e tjera skenari u përsërit, të rinjtë mësynë mbi godinat e Kryeministrisë, Kuvendit, Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve të tjera si Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Infrastrukturës. U tentua të futeshin edhe në selinë e Partisë Socialiste, por turma u shpërnda nga ndërhyrja e policisë me gaz lotsjellës. Trazirat përfshinë jo vetëm Tiranën por dhe qytetin e Durrësit, Elbasanin, Vlorën dhe Korçën.

 

E njëjta strategji nga studentë dhe gjimnazistët u ndoq edhe gjatë ditëve të tjera ku përplasja fizike me policinë dhe tentativa për të hyrë në institucione u pa si e vetmja mënyrë që mund të dëgjohen. 

 

REAGIMI I POLICISË DHE DEBATI MBI PROPOCIONALITETIN

 

Protesta mori formën e një përplasjeje guerile urbane, sa herë policia ndërhynte për të shpërndarë turmën, protestuesit shpërndaheshin në rrugët dytësore, duke u vënë flakën koshave, bllokuar segmentet e duke dëmtuar biznese. 

 

Kjo taktikë jo vetëm paralizoi kryeqytetin, por nxori në pah edhe mungesën e përgatitjes së policisë shqiptare për menaxhimin e krizave të këtij niveli. Ndërhyrjet e policisë ndezën menjëherë një debat të egër mbi disproporcionin e forcës së përdorur.

 

Kjo pamje u kthye në simbolin e debatit mbi dhunën policore. Siç shihet nga pamjet, i riu qëndron i qetë, i paarmatosur dhe nuk përbën asnjë rrezik për efektivët. Megjithatë, punonjësi i policisë e përplas egërsisht në tokë, duke sjellë si dëmtime të rënda të tij në shtyllën kurrizore. 

 

Përgjatë këtyre ditëve, qytetarët dhe mediat dokumentuan shoqërime masive të dhunshme . Në disa pamje filmike, protestuesit u goditën edhe pas prangosjes apo kur ndodheshin brenda mjeteve të policisë.

 

Të dielën u shënua një episod shqetësues pranë selisë së Partisë Socialiste.

 

Kur disa protestues sulmuan ndërtesën, brenda saj dolën persona civilë, disa të maskuar dhe me shkopinj në duar, që iu vërshuan turmës. Më vonë, ata u identifikuan si punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT). Policia nuk ndërhyri për neutralizimin e tyre.

 

Kjo ngjarje ngriti pikëpyetje serioze: A ka humbur Policia e Shtetit kontrollin e sigurisë? Dhe çfarë do të ndodhte nëse mes këtyre personave civilë dhe protestuesve do të kishte përplasje me fizike apo molotovë? 

 

Ajo që mbetet fakt është se Policia e Shtetit u gjend nën një presion pa precedent. Por pyetja kryesore është te reagimi dhe profesionalizmi i saj: a ishin veprimet propocionale? A ishte e dmosdoshme? Përse është gjuajtur mbi turmë me plumba gome nga forca të patrajnuara duke dëmtuar dhe gazetarë? Përse u vu në lëvizje mbrëmjen e së shtunës reporti i forcave speciale RENEA?

 

Për shkak të këtij realiteti, pjesa më madhe e Tiranës mbetet e paralizuar, për aq orë sa zgjat protesta, kryeqyteti është faktikisht në gjendje të jashtëzakonshme edhe pse e pashpallur zyrtarisht nga qeveria.

 

MODELI EKONOMIK QË PO PËRJASHTON QYTETARËT

 

Studentët rindezën protestën e flamengove, këtë fakt nuk e mohon askush. 

 

Kërkesat e tyre fillimisht ishin të thjeshta, të bazuara në aspekte ekonomike, që lidheshin me tarifat e larta të studimit, kushtet e konvikteve, strehimi dhe mungesa e tregut të punës.

 

Dukeshin të ngjashme, me ato të protestave që po studentët zhvilluan në dhjetorin e vitit 2018, ku u arrit dhe marrëveshje mes qeverisë dhe protestuesve: Pakti për Universitetin.

 

I përmbledhur në disa pika, ky pakt dakordësoi uljen e tarifave universitare, rritjen e bursave për nxënësit e ekselencës dhe atyre nga familje me të ardhura të ulëta, zhdukjen nga sistemi i arsimit të pedagogëve me plagjiaturë, rritjen e investimeve në kërkime shkencore dhe përmirësimin e kushteve në auditorë dhe konvikte.

 

Por çfarë është bërë gjatë këtyre 8 viteve?

 

Fillimisht qeveria lidhi kontrata për të punësuar në administratën publike afro 100 studentë të ekselencës. Kontrata me ta është shtyrë vit pas viti. 

 

Buxheti jep çdo vit për 12 mijë studentë bursa në nivelin 10 mijë lekë në muaj. Në total fondi për ta në buxhet është 1.2 milion euro. 

 

Verifikimi i pedagogëve me plagjiaturë dështoi. Nuk u ngrit asnjë komision dhe sërish bordet e administrimit të universiteteve u kapën nga emërimet politike, duke e përqendruar vendimmarrjen dhe lënë jashtë saj Këshillin Studentor. Madje vitet e fundit dy ministre që kanë drejtuar Arsimin, Evis Kushi dhe Ogerta Manastirliu, janë akuzuar për plagjaturë. 

 

Investimet në përmirësimin e kampuseve Universitare janë dhënë me pikatore. Rikonstruksioni i konvikteve nuk ka përfunduar tërësisht.

 

Aktualisht dy janë projektet me buxhetin më të madh që janë investuar në infrastrukturën e arsimit të lartë. 

 

Rikonstruksioni i konvikteve të Universitetit të Mjekësisë dhe një pjese të atyre në Qytetin Studenti. Universitetet e tjera brenda kryeqytetit dhe jashtë tij, vijojnë të kenë të njëjta kushte si në 2018-n.

 

Projekti tjetër me vlerë të madhe në buxhet është Kolegjit i Europës. Ai ka marrë 4 mijë metra katrorë tokë publike dhe 16 milion euro për ndërtimin, përveç përjashtimeve në taksa për tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimin mbi të ardhurat dhe sigurimet shoqërore të stafit që do të punojë aty. Infrastruktura e Kolegjit ishte një zgjerim i atij të Bruzh-it në Belgjikë, proces që u dakordësua nga kryeminisitri Edi Rama dhe rektorja e Kolegjit Frederika Mogerini -njëkohësisht përfaqësuese e lartë e Bashkimit Europian në Çështjet e Jashtme dhe Sigurisë. Kolegji do të mirëpresë 41 studentë, prej të cilëve vetëm 10 nga Ballkani Perëndimor dhe vetëm 5 prej tyre mund të marrin bursa studimi. Tarifat e kampusit të Tiranës janë 27 mijë euro në vit.

 

Për kërkimin shkencor janë dedikuar 15 milion euro fonde në total për 8 vite, jo më shumë se 2 milion euro në vit!

 

Le të shohim se si direktivat e investimit në arsim u zbehën dalëngadalë që nga ky pakt:

 

Buxheti për arsimin në vitin 2019 zinte 3.1% të prodhimit të brendshëm bruto, këtë vit fondi për mbështetjen e tij zë 3.2%. Nëse krahasohet, rritja e mbështetjes është vetëm me 0.1 pikë përqindje! 

 

Për infrastrukturën fondet buxhetore kanë qenë në 2019-n sa 5.1% e prodhimit kombëtar, në 2026-n janë 6.5%.

 

Protestat e dhjetorit të vitit 2018 bënë që Edi Rama të ndryshonte gjysmën e kabinetit. Jo vetëm për këtë shkak, por dhe si pasojë e skandaleve të aferave korruptive që kishin shpërthyer. 

 

Një prej tyre ishte ajo e kompanisë DH Albania, firmë që kishte fituar tenderin me vlerë 20 milion euro për të ndërtuar lotin me gjatësi 2 kilometra të Unazës së Madhe dhe që sipas investigimeve të medias nuk ishte amerikane siç kishte deklaruar, por kishte falsifikuar dokumentet. 

 

Në janar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vendos të revokojë kontratën koncesionare me mbështetje buxhetore për ndërtimin në partneritet publik-privat të rrugës Thumanë – Kashar, tender i fituar nga kompania Gener 2, e cila lidhej sipas raportimeve me kompaninë DH Albania. 

 

Fondet e kontratës do të shkonin për të financuar Paktin për Universitetin. 

 

Sot, 8 vjet më pas, rikonstruksioni i kampuseve universitare nuk ka përfunduar, por rruga Thumanë – Kashar po. Mbështetja buxhetore për vitet e para të kontratës është 22.8 milion euro, ndërsa kompania faturon qytetarët për kalimin në rrugë. Ajo parashikon të vjelë 1.3 milaird euro të ardhura dhe 575 milion fitim në fund të kontratës.

 

Këto dy krahasime shpjegojnë se si është qeverisur Shqipëria dhe ku është zanafilla e pakënaqësive.

 

Nëse do të analizojmë aktet e dhunshme të protestuesve ato duken më të shumta në sulmet ndaj godinave publike dhe bizneseve të mëdha.

 

Të parat që ranë pre ishin kioskat.

 

Shumë mund të kenë menduar se protestuesit kanë djegur biznese famljare, të cilat zakonisht bashkia i jep për familjet e varfra ose personat me aftësi të kufizuar. 

 

Një panoramë të ngjashme dha edhe kryeministri Edi Rama.

 

Në fakt 101 kioska në kryeqytet me logon Kubo janë në pronësi të kompanisë American Tabaço, e lidhur me familjarë të pronares së Top Channel Vjollca Hoxha.

 

Pre e flakëve të protestueseve ra dhe dega qendrore e institucionit financiar Iute Credit, kompani që jep borxh pa kolateral për shuma të vogla, por me interesa të larta dhe penalitete të rënda.

 

Dyqanet e kompanive të telefonisë celulare Vodafone dhe One u sulmuan në disa zona.

 

As bankat nuk i shpëtuan sulmeve të turmës.

 

Kudo në rrugët kryesore të qytetit, fasadat e tyre janë veshur me mure mbrojtëse. 

 

Shoqata e Bankave dhe Banka e Shqipërisë, bënë thirrje që institucionet të mbrohen pasi infrastruktura e tyre është e domosdoshme për funksionim normal të aktivitetit ekonomik të vendit.

 

Banka e Shqipërisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, në ushtrimin e së drejtës së tyre për protestë paqësore, të respektojnë dhe të mbrojnë sigurinë e Bankës së Shqipërisë, të institucioneve bankare, ambienteve, infrastrukturës dhe punonjësve të tyre. Ruajtja e këtyre institucioneve do të thotë ruajtje e shërbimeve dhe e funksioneve që u përkasin dhe u shërbejnë të gjithëve.

 

BANKA E SHQIPËRISË

 

Shumë biznese të tjera e shprehën shqetësimin me shkrime të lëna në dyer: Mos na dëmtoni, jemi me ju!

 

Por edhe pse turma e protestuesve mund të dukej irracionale, ajo që e dallon përzgjedhjen e bizneseve ishte një: u sulmuan kryesisht bizneset e mëdha. Kioskat që i ka një dorë, bankat që ndajnë miliona euro fitime, dy kompanitë celulare që fitojnë miliona euro dhe ndajnë një treg oligopol.

 

A ka patur një qëllim të mirëmenduar mbi sulmin dhe dhunën kjo protestë për të dhënë shembuj ideologjikë e për të thënë që tashmë shqiptarët po luftojnë njëri tjetrin?

 

Duket vështirë që këtë ta fyrmëzojnë partitë politike shqiptare. Partia Demokratike është akuzuar shpesh se flirton me oligarkët e pushtetit, Mundësia është një parti në mbështetje të sipërmarrjes dhe Shqipëria Bëhet ka qenë më e distancuar këtë protestë. Kundër oligarkisë është Lëvizja Bashkë, por dhunuesit e bizneseve duken larg të qenit aktivistë të saj, sidomos po të llogaritësh akuzat që shumë prej tyre janë paguar për sulmet – Lëvizja Bashkë është partia me fondet më të ulëta. 

 

Atëherë kush i frymëzoi apo dërgoi protestuesit te bizneset e mëdha?

 

Kjo është një enigmë të cilën mund ta zgjidhin hetimet, por ajo që mund të tentojmë të japim si përgjigje në këtë analizë, është se cili model ka vënë përballë dhe ka përfshirë në konflikt këto dy kategori.

 

Prej vitesh qytetari nuk është më zot në vendin e tij, as në pronë, as në sipërmarrje e as në vendimmarrje. Ai është kthyer në një punëtor, të zëvendësueshëm e të panevojshëm. 

 

Në fshat fermeri detyrohet të shesë prodhimin te grumbulluesi, i cili ia merr me çmim të ulët dhe e tregton me disa fish. Njëri fiton dhe shumë humbin, bujqit dhe konsumatorët. Nëse transaksioni do të bëhej pa këtë hallkë në mes, fermeri do të fitonte diçka më shumë, qytetari do të blinte më lirë. 

 

Kudo është njësoj, supermarketet po zëvendësojnë dyqanet familjare, punëtorët e shërbimeve po importohen nga jashtë, pronën nuk mund ta marrësh pa një marrëveshje me një të grup të fortë qoftë ky zyrtar apo kriminel dhe nëse nuk bën marrëveshje me një sipërmarrës të madh që ka akses te paratë dhe te leja e ndërtimit. Hapësirat publike zihen me ndërtime, por askush nuk pyetet për ndotjen e mjedisit, zhurmat dhe kaosin që krijojnë ato.

 

Bankat kreditojnë bizneset e mëdha, zyrtarët dhe një rreth të mbyllur. Pjesës më të madhe u kërkohet dokumente, të ardhura, kolateral. As nuk hap biznes e vështirë të blejë një banesë. Gjysma e depozitave që janë para të shqiptarëve i jepen borxh shtetit i cili paguhet me taksat po të shqiptarëve dhe bankat fitojnë jo vetëm këtu por dhe nga tarifat e komisionet që janë më të lartat në Europë. Dy vitet e fundit 2024 dhe 2025 11 banka kanë ndarë respektivisht 370 dhe 350 milion euro fitime.

 

Ky është një mur që modeli ekonomik ka vendosur sot mes individit dhe akesit që ai ka ekonomi, jetën shoqërore dhe të ardhmen. Ky model mbase po i thotë të rinjve që nuk ju duam, jeni të zëvendësueshëm, ndaj dhe ata janë përfshirë në këtë përplasje, e cila mbaron kur modeli përmbyset. Nëse jo, turmat e revoltës do ti hasim më shpesh. 

 

ZGJIDHJA, VETËM POLTIKE

 

Pushteti 13-vjeçar i Edi Ramës nuk ka qenë asnjëherë i sfiduar kaq fort sa këto ditë ,pas, protesta studentore në Tiranë është thellësisht politike. Kërkesa kryesore dhe e panegociueshmee tyre është dorëheqja e Edi Ramës dhe qeverisë së drejtuar prej tij.

 

Protesta është politike edhe për shkak të kërkesave të tjera si formimi i një qeverie kujdestare për një periudhë deri në 1 vit, e cila do të bëjë vendin gati për zgjedhjet e parakohshme dhe ndryshimi i kodit elektoral, në proporcional kombëtar me lista të hapura.

 

Por këtu po ndodh një paradoks, i cili e atrofizon gjithë perspektivën politike të saj .Kush e përfaqëson politikisht këtë revoltë dhe kush mund ta shndërrojë atë në ndryshim pushteti?

 

Përgjigjja nuk është aq e thjeshtë sa duket. Për Partinë Socialiste, sfida është që protesta të mos kthehet në një krizë më të gjerë legjitimiteti. Refuzimi i dorëheqjes nga kryeministri dhe paraqitja e protestave si një kërcënim për procesin e integrimit europian tregojnë se qeveria po e trajton çështjen jo thjesht si një konflikt me studentët, por si një përballje për autoritetin e saj politik.

 

Për opozitën, ndërkaq, protesta krijon një mundësi, por edhe një problem. Mundësinë për ta zgjeruar kundërshtimin ndaj qeverisë përtej elektoratit të saj tradicional. Problemi është se kjo energji qytetare nuk është domosdoshmërisht mbështetje për opozitën ekzistuese.

 

Partia Demokratike ka mbështetur kërkesat politike të protestuesve, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit dhe shpërndarjen e parlamentit. Por mbështetja politike nuk është e njëjtë me përfaqësimin politik. Studentët po kërkojnë largimin e Ramës pa i dhënë automatikisht opozitës një mandat për të folur në emër të tyre. 

 

Një histori e ngjashme, vetëm në tone më të moderuara, shpërfaqet edhe kur bëhet fjalë për partitë e tjera të spektrit opozitar, Shqipëria Bëhet, Lëvizja Bashkë dhe Mundësia.

 

Pavarësisht mbështetjes që këto parti i kanë ofruar protestës studentore, duket se studentët apo flamingot, po përpiqen të ruajnë një distancë sanitare dhe me to. 

 

Ndërsa në rastin e Partisë Demokratike refuzimi vjen dukshëm dhe i prekshëm, qofte në parrullat “Rama në Burg, Berisha në Burg” apo në refuzimin fizik në disa raste të deputetëve të saj, në rastin e partive të reja, ky refuzim ndodh në një hapësirë më metafizike.

 

Dhe këtu shfaqet kontradikta themelore e opozitës shqiptare, ajo mund të jetë kundër qeverisë, por a arrin të bëhet alternativa e atyre që protestojnë, apo rrezikon të mbetet thjesht një përfituese e përkohshme e një reagimi pakënaqësie që nuk e kontrollon dhe nuk e ka prodhuar vetë?

 

Për studentët nga krahu tjetër, duket se sfida është e kundërta. Si ta ruajnë autonominë e protestës pa mbetur vetëm te revolta? Sepse një lëvizje mund të mobilizojë mijëra njerëz, të krijojë presion mbi qeverinë dhe të detyrojë vendosjen e çështjeve të reja në agjendën publike. Por, nëse nuk siguron përfaqësim politik, ndikimi i saj mund të mos përkthehet në ndryshim institucional.

 

Ekziston edhe një rrezik tjetër, që përplasjet dhe dhuna të zhvendosin vëmendjen nga shkaqet politike të protestës te përplasja në rrugë. Dhuna duhet trajtuar me përgjegjësi, por ajo nuk e zëvendëson analizën e pakënaqësisë që e nxori këtë konflikt në sipërfaqe.

 

Në thelb, kemi tri forca që përballen me njëra-tjetrën: një qeveri që refuzon të tërhiqet, një opozitë që nuk po ia del ta kthejë protestën në presion për ndryshim pushteti dhe një lëvizje qytetare që ende duhet të përcaktojë raportin e saj me politikën tradicionale.

 

Prandaj, rezultati politik i kësaj proteste nuk matet vetëm me numrin e njerëzve në rrugë apo me ashpërsinë e përplasjeve. Matet me atë që do të vijë më pas.

 

A do të prodhojë protesta një realitet opozitar më të fortë? A do të krijojë një subjekt të ri politik? Apo do të shterojë pa ndryshuar raportin e forcave?

 

Sepse rrëzimi i një qeverie dhe ndërtimi i një alternative janë dy procese të ndryshme. Protesta ka prodhuar energji politike të jashtëzakonshme. Problemi është, kush do të jetë mekanizmi që do ta shndërrojë këtë energji politike, në rezultate elektorale? 

 

Teorikisht, alternativa e vetme që ka kapacitetet e nevojshme inxhinierike për ta realizuar këtë këmbim energjish, është një bashkim i gjithë faktorit opozitar, duke përfshirë Partinë Demokratike, partitë e reja, strukturën politike që do të prodhojë protesta si dhe gjithë faktorin opozitar jashtë-partiak. 

 

Kjo mega-strukturë politike, nëse krijohet, i ka kapacitetet e nevojshme për ta përkthyer energjinë politike që po prodhon protesta, në rezultate elektorale. Por praktikisht, për momentin, për sa kohë në krye të PD është ende Sali Berisha, ky fuzion ka pak gjasa të ndodhë. 

 

Kemi një brez që po thotë kam lindur kur Rama ishte në pushtet ndaj protestoj, çfarë duhet të thonë ata për Berishën? Për sa kohë në krye të PD-së qëndron Sali Berisha, ky fuzion ka pak gjasa të ndodhë. Ndërsa pyetja qe mbetet pa përgjigje është se çfarë do të ndodhë ditën pasi të ikë Rama?

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy