Rusia mund të nisë një sulm të kufizuar ushtarak kundër një vendi anëtar të NATO-s në muajt e ardhshëm, tha inteligjenca daneze, sipas “The Guardian”.
Në një raport të publikuar të enjten, shërbimi danez i inteligjencës së mbrojtjes paralajmëroi për një “rrezik të ulët, por në rritje” që Rusia të nisë sulme me rreze të gjatë veprimi ndaj infrastrukturës së NATO-s që mbështet Ukrainën, ose të kryejë një ndërhyrje të kufizuar në një vend fqinj me një numër të vogël trupash, potencialisht duke vepruar pa emblema.
Raporti erdhi disa orë pas një zjarri në një stacion satelitor Starlink në Poloninë qendrore, të cilin autoritetet lokale e përshkruan si një “akt sabotimi”.
Më herët këtë muaj, Gjermania fajësoi publikisht Rusinë për një sulm me dronë në aeroportin e Leipzig/Halle, ndërsa një sërë incidentesh të tjera duke përfshirë zjarret në fabrikat e dronëve dhe sabotimin që synonte infrastrukturën hekurudhore janë hetuar gjithashtu për lidhje të mundshme me Moskën.
Ndërkohë, Rusia ka mohuar përfshirjen në sulme të tilla. Në javët e fundit, disa shefa të inteligjencës evropiane kanë paralajmëruar se Rusia mund të jetë duke përgatitur veprime më të vendosura për të testuar angazhimin e vendeve të NATO-s për të mbështetur Ukrainën, megjithëse zyrtarët kanë mendime të ndryshme se sa i afërt mund të jetë një veprim i tillë.



