Sakollari: Monitorimi i çmimeve nuk është zgjidhja ideale. Rabeta: Sektori i naftës mbetet problematik

Sakollari: Monitorimi i çmimeve nuk është zgjidhja ideale. Rabeta: Sektori i naftës mbetet problematik

Norma e inflacionit në Shqipëri ka pësuar një rritje të ndjeshme gjatë muajit tetor duke kapur nivelin 3.4%, një kërcim ky i nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i shpejtë i produkteve ushqimore, ku zarzavatet kanë shënuar një rritje drastike prej 9.9% dhe ushqimet në tërësi me 4%. 

Në studion e "MCN Economy", Profesorja e Ekonomisë Valbona Sakollari vuri në dukje se shifrat zyrtare thjesht pasqyrojnë atë që qytetarët e ndjejnë çdo ditë në xhepat e tyre, duke theksuar se varësia nga importet dhe zinxhiri i rritjes së naftës po godasin shtresat më vulnerable që e kanë të vështirë të mbajnë hapin me pagat.

 

Ndërsa gazetari Lorenc Rabeta solli në vëmendje prapaskenat e diskutimeve me Ministrinë e Financave dhe shprehu skepticizëm nëse ulja prej 14% e TVSH-së do të shkojë vërtet në dobi të konsumatorit final, duke vënë theksin te sjellja abuzive e monopoleve dhe ngarkesa e re mbi biznesin e vogël.

 

Valbona Sakollari:

Norma e inflacionit prej 3.4% tregon dhe njëkohësisht nuk tregon gjithçka, pasi ne nuk kemi nevojë të shohim domosdoshmërisht këtë shifër për të kuptuar që çmimet janë rritur, sepse këtë gjë ne e ndjejmë vetë çdo ditë që janë rritur. Kemi të bëjmë me një rritje të konsiderueshme dhe këtë normë inflacioni e lidhim me importet tona, kryesisht me ushqimet, ku pjesa më e madhe e tyre importohen nga jashtë dhe rrjedhimisht nuk ka se si çmimi të jetë i ulët. Inflacioni në vetvete është rritje e përgjithshme e çmimeve dhe si rregull duhet të ishte rritur edhe paga; në fakt rezulton një rritje pagash, por në të njëjtën kohë paga në nivel të përgjithshëm është rritur por nuk është rritur njësoj për të gjithë, ndaj një pjesë e shoqërisë kryesisht e ka të vështirë të përballojë rritjet, ndërkohë që edhe rritja e çmimit të naftës referohet dhe reflektohet në të gjithë sektorët e tjerë. Unë do e shihja si një hap pozitiv si faktin e uljes së TVSH-së së ushqimeve, ashtu siç shoh pozitive edhe zhveshjen e çmimit të karburantit nga taksa e qarkullimit. Mendoj se çmimi në vetvete duhet të reflektojë vetëm kostot variabël dhe një pjesë të kostove fikse, sepse vetëm kështu mund të bëhesh i konkurrueshëm të paktën për rajonin, pasi në rast të kundërt tregu shkon drejt importit dhe pastaj gjendja mbetet kjo që është. Logjika ekonomike është se 'dora e padukshme' e tregut rregullon situatën, nuk është shteti që monitoron por konkurrenca e lirë, prandaj do të ishte më mirë të hapej tregu. Nga ana tjetër, nuk mendoj se zgjidhja është monitorimi i çmimeve, pasi faktorët e tregut reagojnë në bazë të stimujve që u jepen. Ne kemi problem që në çdo krizë krijojmë instanca të reja monitoruese dhe në harkun e një viti, pa bërë një rezume të tyre, krijojmë instanca të tjera, ndërsa situata mbetet po kjo. Për mua, ndikimi pozitiv i kësaj mase do të reflektohet në një mosrritje të mëtejshme çmimesh, por ulja nga 20% në 6% nuk do të jetë plotësisht 14% real në rënie, do të jetë më pak, pasi shporta ushqimore nuk përbëhet vetëm nga 54 produktet, dhe rritja me 21% e TVSH-së për pjesën tjetër do të reflektohet në rritje çmimesh. TVSH-ja në vetvete është tatim mbi vlerën e shtuar, por perceptimi i aktorëve në treg është i tillë që e lidhin me koston e tyre dhe e reflektojnë si rritje çmimi.

 

Lorenc Rabeta

 

Sektori i naftës mbetet mjaft problematik. Në një takim me Ministrin e Financave e pyetëm nëse do të reflektohet ky 6% te konsumatori dhe përgjigja e tyre ishte që ne do të ngremë struktura ose do të shfrytëzojmë strukturat ekzistuese për të monitoruar bizneset, që të shohim nëse po e reflektojnë këtë 6% apo po e mbajnë për vete atë 14% të diferencës. Kjo është e mundur, sepse mjafton të monitorosh importuesit e mëdhenj dhe ti i vë fre një abuzimi masiv me çmimin; është interesante që ne kemi monopole e oligopole, dhe ai tha se është e thjeshtë sepse sektori më problematik është ai i hidrokarbureve, ndaj do t'i shohim rast pas rasti e çmim pas çmimi për të na siguruar që ata të mos e mbajnë vetë atë 14%, por ta reflektojnë te konsumatori. Plani B i qeverisë është që të shtohen mekanizmat për më shumë kontroll, por frika ekzistuese është se ajo ulje prej 6% jo domosdoshmërisht do të reflektohet te konsumatori. Tregtarët shqiptarë apo importuesit e tregut të hidrokarbureve i transmetojnë ndryshimet e rritjes 2-4 ditë më shpejt, ndërsa rënien e çmimit e reflektojnë 8-10 ditë shumë më vonë; pra, kjo periudhë prej 5-6 ditësh u siguronte atyre fitime kolosale, prandaj edhe ulja e naftës nuk do të reflektohet asnjëherë plotësisht te konsumatori. Nga ana tjetër, jo të gjitha produktet ushqimore janë të përfshira te lista e 54 produkteve që përmend qeveria, ku për shembull gruri nuk përfshihet dhe për të do të paguajnë 21%. Kam përshtypjen se kjo është vendosur dhe do të shohim si do të zgjidhet, pasi jo të gjitha produktet do të ulen, përderisa për të gjitha produktet dhe shërbimet e tjera do të paguajnë TVSH 21%. Biznesi i vogël do të ngarkohet i gjithi me taksa dhe si përfundim, të gjitha bizneset do e kenë thuajse të dyfishuar dividentin.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy