Një ngjarje e rëndë ka alarmuar policinë e Shkodrës dhe Malësisë së Madhe pasditen e sotme. Një shtetas gjerman ka sulmuar me thikë dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme, pasi këta të fundit ndërhynë për ta neutralizuar pas një konflikti në rrugë.
Ngjarja ka nisur rreth orës 17:30, kur në sallën operative të DVP Shkodër ka mbërritur një telefonatë nga shtetasi A. Q., 27 vjeç. Ai ka njoftuar se po udhëtonte me automjetin e tij nga Hani i Hotit në drejtim të Shkodrës, kur drejtuesi i një mjeti tjetër i ka hedhur benzinë sipër makinës, në afërsi të një pike karburanti pranë pikës kufitare.
Menjëherë pas denoncimit, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të mjetit të dyshuar dhe kanë arritur ta bllokojnë atë në fshatin Pjetroshan. Në momentin e ndalimit, drejtuesi i mjetit shtetasi gjerman Jan-Frederich Krebs, 47 vjeç ka shfaqur rezistencë duke refuzuar të identifikohej. Gjatë përpjekjes së efektivëve për ta neutralizuar dhe prangosur, 47-vjeçari ka nxjerrë një mjet prerës (thikë) dhe ka goditur dy policët e patrullës, inspektorët Samet Bajri dhe Ilmi Smajlaj.
Dy efektivët e plagosur janë transportuar me urgjencë drejt spitalit ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Ndërkohë, pavarësisht sulmit, shërbimet e tjera të Policisë kanë arritur ta vënë në pranga shtetasin gjerman, i cili është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Malësisë së Madhe për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor ka nisur punën në vendngjarje dhe po vijon hetimet për të zbardhur dinamikën dhe motivet e plota të këtij incidenti të rëndë.



