Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 14 nëntor në rrugën “Sadik Petrela”, ku një sasi e dyshuar lënde plasëse shpërtheu në derën e jashtme të banesës së një 47-vjeçareje me iniciale A. M.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, shërbimet e Komisariatit Nr. 4 finalizuan operacionin e koduar “Gjurmimi”, duke identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin A. Z., 60 vjeç, banues në Elbasan.
Njëkohësisht, blutë kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë për tre vajza të reja, fqinje të 60-vjeçarit, konkretisht shtetaset A. Ç., 21 vjeçe, A. L., 18 vjeçe, dhe një 17-vjeçare.
Ato akuzohen për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se kanë qenë në automjet së bashku me autorin në momentin e kryerjes së sulmit dhe nuk e kanë denoncuar ngjarjen.
Gjatë veprimeve hetimore, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale automjetin e përdorur ditën e shpërthimit, si dhe katër aparate celulare.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 60-vjeçarit të shpallur në kërkim, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
