Vendosja e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj ish-shefes së SHISH Vlora Hyseni, për avokatin Roland Islami, dëshmon se Shqipëria nuk ka më siguri sa i përket privatësisë dhe të dhënave të qytetarëve shqiptarë.
I ftuar në MCN, Islami tha se kjo na bënë të ekspozuar tërësisht përballë rreziqeve të jashtme dhe sulmeve kibernetike.
Masa e arrestit në shtëpi është për faktin që është femër dhe kryefamiljare, masa arrest në shtëpi është gjithashtu njësoj si arresti në burg. Me arrestimin e saj, shteti shqiptar sot nuk ka siguri, pra ne nuk kemi siguri për të dhënat tona. Ne jemi të ekspozuar edhe nga sulmet e huaja. Qytetarët janë të pambrojtur nga të dhënat personale.
Avokati komentoi edhe deklaratën e kryeministrit Edi Rama, në lidhje me arrestimin e Hysenit, i cili e cilësoi masën e arrestit të shtëpisë ndaj saj si të rëndë.
Që kur u krijua SPAK-u, për këtë u krijua në kuadër të reformës në drejtësi, për të prekur pushtetin ekzekutiv që është qeveria. Fakti që ai thotë 'po prekni vijën e kuqe' është më shumë si një mesazh i kryeministrit ndaj drejtësisë. Nuk mund të thuash 'ke kaluar vijën e kuqe', ajo po kalohet nga vetë kryeministri duke goditur vendimet e gjykatës.



