
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në burgun e Reçit, ku një i dënuar ka humbur jetën pasi dyshohet se është vetëvarur.
Bëhet fjalë për Agron Llapushin, 49 vjeç, banues në Çekin të Gramshit. Sipas të dhënave paraprake, ai është gjetur i varur me litar në ambientet e dusheve të institucionit të vuajtjes së dënimit.
Llapushi nuk kishte dhënë më herët sinjale apo informacione për ndonjë vendim të tillë dhe, sipas të dhënave të bëra publike, nuk kishte folur me persona të tjerë lidhur me aktin.
49-vjeçari vuante një dënim prej 24 vitesh e 4 muaj burgim për vrasjen e bashkëshortes së tij, Alketa Llapushi, ngjarje e ndodhur në vitin 2015 në Gramsh.
Pas kthimit nga emigrimi në Greqi, ai e mbyti bashkëshorten në një arë, duke përdorur duart dhe litarin.
Pas krimit, Llapushi u dorëzua në polici dhe pranoi autorësinë.
Prokuroria për Krime të Rënda kishte kërkuar dënimin e tij me burgim të përjetshëm, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e dënoi me 24 vite e 4 muaj burgim për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal.
Vendimi mori formë të prerë më 10 dhjetor 2015, ndërsa Llapushi ishte arrestuar më 1 prill 2015.
Llapushi dhe bashkëshortja e tij ishin prindër të dy fëmijëve, të cilët në kohën e ngjarjes ishin ende të mitur.
Sipas informacionit të dhënë, gjatë viteve të vuajtjes së dënimit ai kishte pasur shumë pak kontakte me familjarët.
Një takim raportohet të ketë ndodhur në vitin 2023 dhe një tjetër në vitin 2025.
Rrethanat e plota të ngjarjes në burgun e Reçit pritet të sqarohen nga autoritetet përkatëse.



