Një 39-vjeçar shqiptar është vrarë me armë zjarri në një lokal në zonën e Orihuela Costa, në Spanjë. Ngjarja dyshohet se lidhet me një larje hesapesh.
Sipas mediave spanjolle, viktima ndodhej në tarracën e një lokali, brenda kompleksit sportiv Playa Flamenca Sport Club, kur është qëlluar për vdekje nga një person ende i paidentifikuar.
Autori është larguar nga vendngjarja me monopatinë elektrike dhe është shpallur në kërkim nga Guardia Civil. Në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës, por mjekët nuk mundën t’i shpëtonin jetën 39-vjeçarit.
Policia gjyqësore dhe ekspertët kriminalistikë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorit.
