
Në analizën e tij për “MCN live” përktazi me zhvillimet dhe përplasjet e fundit brenda PS-së, drejtori i Përgjithshëm i MCN tv Endri Meksi, vlerësoi se kryeministri Edi Rama e kurseu Erion Veliajn, dhe se përpjekjet e këtij të fundit për të penguar PS-në në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027 janë të destinuara të dështojnë.
Sipas Meksit, ndonëse në opinionin publik qarkullon ideja se Rama po tregohet i kujdesshëm nga frika e asaj që mund t’i shkaktojnë në Tiranë Veliaj apo Spiropali, në realitet kryebashkiaku i ka dhënë PS-sw shansin më të mirë për të treguar se është më e fortë se emrat e përveçëm.
Kryeministri përsëri e kurseu Erion Veliajn, në sensin që para se të bëhej 100% i konfirmuar lajmi publik, unë gjykoj që i ka dhënë edhe një shans në këtë luftën idiote që po bën kryebashkiaku nga dhoma me qira në Fier, sepse nuk ka asnjë sens.
Tani po lexoja interpretimet që thonë se kryeministri ka frikë nga ajo që mund t’i shkaktojë në Tiranë Erion Veliaj, Spiropali e të tjerë.
Përkundrazi, Erion Veliaj i ka dhënë shansin më të bukur në këtë sfidë të 2026–2027-s kryeministrit Rama dhe Partisë Socialiste për të treguar që kjo parti është më e fortë se emrat e përveçëm.
Duke rikujtuar ngritjen politike të Veliajt që nga viti 2013, si ministër, më pas kryebashkiak i Tiranës për tre mandate radhazi dhe me imazhin e 'të parazgjedhurit të një klani të fuqishëm amerikan', Meksi theksoi se pesha reale elektorale në territor i përket partisë dhe kryeministrit, jo individëve.
Veliaj ka pasur shumë pushtet dhe për një farë kohe qarkullohet dhe ideja që është i zgjedhuri, apo i parazgjedhuri, i një klani të fuqishëm amerikan. Kjo ide në Shqipëri ngjiti dhe në këtë sens zinte goxha pushtet.
PS ka forcë në territor shumë më të pavarur nga emrat e përveçëm. I vetmi person që mund të përcaktonte një linjë të fortë brenda partisë është kryeministri, sepse ka shumë pushtet.
Votat janë të partisë, nuk janë të Erion Veliajt.
Kjo është dhe arsyeja pse direkt të premten në mëngjes kryeministri, në rolin e kryesocialistit, mblodhi drejtuesit e qarqeve, sepse makineria elektorale e PS-së e ka nisur luftën.
Erion Veliaj le të bëjë blofin e vet dhe le të vazhdojë këtë përpjekje idiote për të futur shkopinj nën rrota Partisë Socialiste dhe kryeministrit, por do të jetë e pasuksesshme.
Rama ka zero frikë nga Veliaj për zgjedhjet e 9 majit.
Duke u ndalur te dalja publike e deputetes Elisa Spiropali dhe akuzat e saj ndaj Belinda Ballukut, Meksi në analizwn e tij u shpreh se reagimi i saj ishte një formë shantazhi politik pa asnjë peshë reale, duke kujtuar se karriera e saj nisi me mbështetjen e kryeministrit pa pasur eksperiencë të mëparshme.
Nga ana tjetër, Spiropali u emërua si Drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave pa pasur eksperiencë në punë. Nëse ajo kishte gjëra dhe i dinte më parë, pse nuk i nxirrte?
Reagimi i saj ishte shantazh dhe jo kërcënim. Ajo po tenton të shkruajë historinë pas fakteve, por nuk ka gjë në dorë.
Brenda një partie politike kryeministri mund të sfidohet vetëm përmes rrugëve konkrete të pushtetit partiak, të cilat as Veliaj dhe as Spiropali nuk i zotërojnë.
Lufta ndaj Ramës bëhet përmes dy mënyrave, me vota ose me puç.
