
Skema e dyshuar e mashtrimit me mikrokreditë, ku në qendër janë kompanitë "Micro Credit Albania" dhe "Final", ka lënë pas pasoja të rënda financiare dhe sociale për mijëra familje shqiptare.
I ftuar në edicionin e lajmeve në MCN tv, eksperti i ekonomisë Pano Soko deklaroi se ky skandal duhet të hetohet që në zanafillën e tij.
Sipas Sokos, skema nuk lindi rrugës, por u projektua që në momentin kur Banka e Shqipërisë krijoi kushtet ligjore për lejimin e kompanive të mbledhjes së borxheve.
Më vjen keq që hetimi nuk ka përfshirë historinë, historinë e fillesës së kësaj skeme.
Sepse duhet kuptuar se kjo nuk është një skemë që lindi rrugës, dhe që papritur këta njerëz e kuptuan që janë mashtruar.
Kjo është një skemë që u nis për të qenë një skemë që në ditën e parë të saj.
Kjo është një skemë që në ditën kur Banka e Shqipërisë ndërmori një nismë të mirëfilltë për gjoja rregullimin e tregut financiar pas rritjes së kredive të këqija dhe një ndër hallkat e nismës ishte edhe disiplinimi i kredive të vogla.
Unë besoj se kjo është gjeneza e kësaj skeme.
Soko vuri theksin te viti 2015 si pika kyçe ku duhet të përqendrohet puna e prokurorëve të posaçëm:
Gjeneza e këtij skandali nis në vitin 2015, kur u vendos që kreditë e këqija të bankave nuk do të shuheshin, por do të shiteshin, duke lejuar kështu krijimin e kompanive të mbledhjes së borxhit.
Pikërisht këtu duhet të shtrihet hetimi i SPAK-ut.
Jo më kot kjo dosje ka kaluar në Prokurorinë e Posaçme, pasi dyshohet se pjesë e grupit që ka dëmtuar qytetarët janë zyrtarë nga hallka të rëndësishme drejtuese të Bankës së Shqipërisë.
Do doja që SPAK ta çojë punën deri në fund duke zbardhur të gjithë hartën e skemës.



