Ilir Aliaj, pedagog i të drejtës ndërkombëtare; eurodeputeti Fredi Beleri dhe ish-deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, diskutuan në studio mbi mundësitë reale të anëtarësimit të Shqipërisë në BE brenda vitit 2030.
Aliaj tha se Shqipëria është shumë larg standardeve të domosdoshme për anëtarësim.
Kam kohë që nuk e dëgjoj Ramën të thotë Shqipëria 2030 në BE. Ka disa standarde për të hyrë në BE. Zgjedhjet e lira e të ndershme janë kriter. Shteti i së drejtës. Kemi një institucion që në sondazhet që bëhen me qytetarët shqiptarë është i pari i rankuar. Ai kërkon mandatin e një deputeteje dhe maxhoranca nuk e jep. Pra, shteti i së drejtës bie.
Ajo që ka ndodhur sot është shumë e rëndë. Drejtorja e Shërbimit Informativ arrestohet. Po të shohim vetëm dosjen e AKSHIT dhe çfarë ka ndodhur, ekonomia e tregut ka rënë. SHBA-të kanë kontaktuar Ramën që të mos e dekretojë Vlora Hysenin. Gonzato i ka shkuar në zyrë dhe i ka thënë: kemi informacione për Prodën, mos e bëj.
Protesta e ka dërrmuar imazhin e qeverisë. Mediat më të mëdha botërore kanë shkruar kundër Edi Ramës. Po si do shkojmë te zgjidhja? Në 2011, në Itali kishte një maxhorancë super të konsoliduar. Për arsye shumë europiane, Gjermania bëri presion dhe e detyroi Berluskonin të japë dorëheqjen. PE nuk votoi asnjë emër të propozuar nga Italia dhe çdo projektligj i qeverisë Monti nuk kishte pengesë nga maxhoranca e Berluskonit. Edhe Italia në atë kohë ishte e mbytur nga presioni i madh. E njëjta gjë është edhe këtu. Kjo protestë ka krijuar një imazh pozitiv që shqiptarët protestojnë kur qeveria është e padrejtë.
Ndërsa ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, tha se dy karakteristikat e vetme europiane që ka Shqipëria sot janë protesta dhe drejtësia e re.
Kjo e sotmja na ka lënë pa fjalë. Të arrestohet në detyrë drejtuesi i SHISH tregon që ka rënë republika. Me tepër sesa janë shpërdoruar, informacionet shtetërore u janë dorëzuar duarve armiqësore. Informacione sensitive të NATO-së mund të kenë rënë në duar të vendeve jomiqësore. Reputacioni jo vetëm i SHISH por i gjithë strukturës së sigurisë kombëtare është i rrënuar. Situata është shumë e rëndë. Është kompromentuar siguria jonë individuale.
Dy ngjaje të mëdha i kanë ndodhur këtij vendi: SPAK-u dhe protesta. Dy karakteristika qartësisht europiane. Një drejtësi që po jep bindjen që është profesionale dhe e pavarur. Dhe një publik që revoltohet, një shoqëri që rebelohet. Nuk kishte ndodhur. Kacafytjet më të mëdha kanë qenë ato mes PD dhe PS. Prandaj të dyja bien dakord që “protesta nuk do të sjellë asgjë”. Nuk them që del qeveria e re nga protesta, por nervi i zgjuar i shqiptarëve do ta ketë jo të vogël impaktin.
Do të ketë skandale të tjera dhe do të ketë me shumicë. Do të ketë instrumente për të riprovokuar instrumente të sigurta, të reja. Do të ketë përpjekje nga Rama dhe Berisha për ta asfiksuar, për ta asgjësuar.
Ndërsa eurodeputeti Fredi Beleri tha çështje të rëndësishme anashkalohen nga drejtësia.
Rezolutat e PE flasin për ndërhyrje të administratës në zgjedhje, ndërhyrje të krimit të organizuar, por kurrë nuk kanë dyshuar rezultatin. OSBE po tallet. Shqiptarët janë ata që duhet të ndryshojnë qeverinë. Të mos presin nga ndërkombëtarët. Në këtë aspekt, për mua protesta është e dështuar.
Nuk komentoj vendimet e gjyqësorit. Janë zhvillime që po tronditin politikën shqiptare.
Protesta është reagim i shëndoshë. Ka ndihmuar shoqërinë shqiptare të kuptojë që mbreti është lakuriq. Por nuk mund të prodhojë një qeveri të re.
SPAK ka arritur në majat e pushtetit. Por ka çështje ende të rëndësishme që i anashkalon. Ka dosje që i mban në sirtar. Ato që keni publikuar ju në media, për inceneratorin. SPAK e heton Veliajn për veprën që ka bërë e shoqja. Vërtet mendoni se shqiptarët nuk e kuptojnë këtë?



