Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar ashpër kryeministrin Edi Rama për hartimin e një skenari tensionesh gjatë protestës, duke deklaruar se ky plan dështoi për shkak të braktisjes nga vetë qytetarët.
Berisha e cilësoi ndërhyrjen e policisë në selinë e PD-së si një akt të turpshëm dhe kriminal hakmarrjeje. Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës u shpreh se kryeministri po kërkon shpëtim jashtë vendit, por paralajmëroi se fati i tij është vendosur.
Sot njeriu që po përpiqet të përzgjedhë vendin e azilit politik dhe i them këtu para shqiptarëve se, vendi i azilit do të jetë qelia e burgut për Edi Ramën.
Sipas kreut të PD-së, skenari i qeverisë synonte të devijonte dhunën drejt selive të partive politike, duke angazhuar elementë kriminalë. Ai pretendoi se Rama kishte futur në selinë e PS-së inspektoriate dhe banditë të armatosur të karteleve të drogës, por plani dështoi pasi protestuesit refuzuan të bëheshin pjesë e lojës.
Sepse puthadorët e Ramës në këtë lëvizje nuk i ndoqi njeri. Jagot e Edi Ramës në lëvizje, e braktisën masivisht.
Më tej, Berisha dënoi ashpër reagimin e forcave të rendit ndaj selisë qendrore të Partisë Demokratike, duke e quajtur atë një kundërpërgjigje të dëshpëruar ndaj dështimit të planeve të kryeministrit.
“Policia në mënyrën më hakmarrëse, më të turpshme, më kriminale, dhunon territorin e partisë opozitare, Partisë Demokratike, në shkelje të rëndë të ligjeve dhe kushtetutës”, u shpreh Berisha, duke shtuar se hedhja e sasive kolosale të gazit lotësjellës u bë pa asnjë motiv dhe helmoi njerëzit brenda ambientit të partisë.



