Begaj takon Presidenten e Kosovës në Ohër: Mbështesim fuqishëm statusin kandidat në BE dhe hapat ligjorë për Hagën

Begaj takon Presidenten e Kosovës në Ohër: Mbështesim fuqishëm statusin kandidat në BE dhe hapat ligjorë për Hagën

Në nisje të punimeve të Samitit të Procesit të Brdo-Brijunit në Ohër, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi sot një takim me Presidenten e re të Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula.

 

Kreu i Shtetit e uroi Presidenten Shiroka-Pula për detyrën e re, duke shprehur besimin se eksperienca e saj akademike dhe profili politik e njerëzor do të kontribuojnë në përfaqësimin me dinjitet të Kosovës dhe në forcimin e institucioneve të saj.

 

Duke rikonfirmuar se marrëdhëniet vëllazërore me Kosovën mbeten prioriteti parësor i Shqipërisë, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit dypalësh dhe të riaktivizimit të takimeve më të shpeshta të përbashkëta. 

 

Ai u shpreh se Shqipëria dhe Kosova duhet të ecin bashkë në agjendën kombëtare, me synim anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe përfaqësimin dinjitoz të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

 

Sa i përket procesit të integrimit evropian, Presidenti Begaj deklaroi se Kosova meriton një qasje të re nga Bashkimi Evropian, duke siguruar se Shqipëria do të vijojë të mbështesë me vendosmëri dhënien e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit.

 

Ai rikonfirmoi gjithashtu se çështja e Kosovës është pjesë e çdo takimi që ai zhvillon me liderë ndërkombëtarë, duke vijuar lobimin për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, përfshirë NATO-n, kërkesë të cilën ai e ka paraqitur që në takimin e parë në selinë e Aleancës.

 

Duke iu referuar procesit gjyqësor në Hagë, Presidenti Begaj përcolli mbështetjen e plotë të Shqipërisë për hapat ligjorë të autoriteteve të Kosovës dhe të drejtën kushtetuese për nismat ligjore mbi Dhomat e Specializuara, në konsultim me partnerët strategjikë.

 

Kreu i Shtetit rikonfirmoi qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë për një drejtësi të paanshme, e cila respekton kontekstin historik dhe luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy